KOSOVËLAJME

Kurti: Ushtria serbe po zhvillon ushtrime me dronë luftarakë kamikazë vetëm 30 kilometra larg kufirit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia do të bëjë stërvitje me dronë kamikazë vetëm 30 kilometra larg Kosovës.

Kurti tha se kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë.

Market Florenti
Florenti Company
Koha

“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 km larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. Ushtrimi që po e bëhet në Pashter të Sanxhakut, pra paraqet kërcënim, ndërkaq në anë tjetër, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak”, tha Kurti sot para mediave.

Edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ngriti alarmin se Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë.

Sipas Maqedoncit këtë e tregon edhe stërvitja që vijon prej 8 prillit në kufirin me Kosovën, ku ushtria serbe po teston armë sulmuese, pavarësisht se kamuflohet si një përgatitje për mbrojtjen e territorit.

“Vlerësojmë se këto tensione do të vazhdojnë. Mund të ketë forma të tjera, një ndër tyre që kemi vërejtur prej datës 8 prill deri më 21 është një ushtrim që ushtria serbe po kryen në pjesën jugore të territorit të Serbisë. Është një ndër më të mëdhatë që ka zhvilluar ndonjëherë ushtria serbe. Në kohën që ky ushtrim po realizohet dhe përdorimi i pajisjeve dhe sistemit të armatimit në këtë ushtrim paraqet kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Të gjitha veprimet që deri më tani ka ndërmarrë i ka kamufluar Serbia si përgatitje dhe militarizim për mbrojtje. Serbia do të testojë pajisje sulmuese dhe jo mbrojtëse. Edhe pse ka vendosur 48 baza në kufi me Kosovën në jug të territorit të saj, ka vazhduar të proklamojë se gjithë ky mobilizim ka qenë për të përgatitur mbrojtjen e territorit. Nesër do të jemi dëshmitarë që Serbia do të testojë kapacitete sulmuese, mes tyre dhe dronë kamikazë që nuk përdoren për të mbrojtur por për sulme kundër dikujt tjetër”, tha Maqedonci në A2Cnn.

Sipas tij mobilizimi i NATO-s për të rritur prezencën e trupave të KFOR-it në Kosovë dhe Bosnje vjen pas vlerësimit të riskut nga autoritetet vendase dhe blerja e armatimeve në mënyrë të vazhdueshme nga Beogradi.