
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot Liqenin e Ujmanit. Ai vlerësoi punën që sipas tij u bë, në Ndërmarrjen Hidroekonomike Ibër-Lepenci, mbi sanimin e dëmit të shkaktur nga sulmi i nëntorit të vitit 2024, shkruan Mitropol.
Ai përmendi gjithashtu edhe kthimin e njëren prej pronave të komunë së Zubin Potokut, kësaj ndërmarrjeje – pronë kjo që sipas tij, “zotërohej nga strukturat paralele ilegale.”
“Tashmë ka rend e ligj, shërbime efikase për qytetarët dhe gjithëpërfshirje.”, shkroi Kurti.
Postimi i plotë:
E vazhduam ditën në veri të vendit tonë, pranë Liqenit të Ujmanit, në hapësirat e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike Ibër-Lepenci.
Puna dhe përkushtimi i ndërmarrjes, veçanërisht edhe pas sulmit në infrastrukturë kritike në kanalin kryesor të saj në nëntor të vitit të kaluar, është për t’u vlerësuar lart, për reagimin e shpejtë në sanimin e dëmit të shkaktuar.
Në kuadër të mbështetjes sonë si qeveri ndaj Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike Ibër-Lepenci, ia rikthyem së fundmi në shfrytëzim edhe një pronë të saj në komunën e Zubin Potokut, e cila ishte më parë jashtë kontrollit të ndërmarrjes, sepse zotërohej nga strukturat paralele ilegale. Tashmë ka rend e ligj, shërbime efikase për qytetarët dhe gjithëpërfshirje.








