Kusari – Lila: Bisedat me Radoiçiqin kanë qenë pas insistimit nga Sllavko Simiq, ai e ka telefonuar
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, së fundmi ka folur në lidhje me përgjimet e publikuara në media të bisedës së saj me Milan Radoiçiq.
Ajo ka thënë se biseda me Radoiçiqin është zhvilluar pas insistimit të nënkryetarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, që Kusari-Lila të bisedonte me njeriun më të kërkuar nga drejtësia kosovare.
“Asnjëherë nuk kam pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Radoiçiq, as nuk i kam kërkuar, as nuk e kam synuar të marrim prej tipi çfarëdo miratimi për çështje që janë diskutuar, ka qenë insistimi në komunikim i nënkryetarit Simiq medoemos ta thërrasë Milan Radoiçiq për të konfimuar që nuk do të ketë probleme në një proces i cili kishte të bënte me zbatimin e marrëveshjes së energjisë”.
“Ai komunikim ka ndodhur këtu, kur e ka nxjerrë telefonin dhe me insistimin e tij e ka thirrë dhe pastaj si është përdorë kur është publikuar biseda me Sllavko Simiq janë bërë tema, këputje të disa bisedave që Sllavko i ka incizuar të gjitha, ka qenë shkelje e ligjit mbi privatësinë por pastaj i janë dhënë konotacione politike”, ka potencuar Kusari – Lila.
Sipas saj, ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Lista Serbe dhe më pas opozita e ka përdorur për të krijuar mendim se Lëvizja Vetëvendosje bashkëpunon me Listën Serbe.
Kusari – Lila ka thënë se edhe vetë ishte kërcënuar nga Milan Radoiçiq, në qershor të vitit 2022.
“Në qershor të vitit 2022 në një bisedq të fundit me Simiq në zyrën time, pasi ka lexuar një letër që ka qenë kërcënuese në një farë forme nga Milan Radoiçiq, e kam nxjerrë jashtë dhe aty kam përfunduar komunikimin, asnjë komunikim tjetër, as për çështje tjetër nuk kam pasur”, ka theksuar Kusari-Lila në A2 CNN.