KOSOVËLAJME

Kush është Goran Radosavleviq, komandanti famëkeq serb që dha urdhër për kryerjen e masakrës së Reçakut?

Goran Radosavleviq me nofkën Guri, është një nga komandantët më famëkeq serb që dyshohet për udhëheqjen e disa prej masakrave më të mëdha në Kosovë. Masakrat e krimet ndaj Kosovës dhe UÇK-së, Radosavleviq i nisi me krimin mbi familjen Jashari, pastaj me masakën në Reçak e Qyshk të Pejës, për të kulmuar me zhdukjen e pastraj vrasjen e 3 vëllezërve me nënshtetësi amerikane, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Pas daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, forcat serbe do të nisnin planet e tyre për ta dëmtuar sa më shumë ushtrinë e cila kishte synim çlirimin e vendit. Normalisht në cak të serbëve ishte komandanti Adem Jashari dhe familja e tij, që vlerësohej si bërthama e UÇK-së.

Florenti Company
Market Florenti
Koha

Për këtë, pak muaj pas daljes publike, saktësisht më 22 janar 1998, forcat serbe nisën edhe sulmin e dytë ndaj Jasharëve. Sulmi doli të ishte i dështuar pasi familja Jashari arriti t’i largojë forcat serbe nga fshati Prekaz.

E sulmi i tretë mbi familjen Jashari doli të ishte fatal. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 familja e komandantit legjendar do të përballej me artilerinë më të rëndë të ushtrisë serbe. Masakra mbi familjen Jashari do të merrte jetën e mbi 50 qytetarëve, më shumë se 20 anëtarë të ngushtë të familjes së Adem Jasharit.

Ky sulm dyshohet të jetë organizuar nga një prej komandantëve më famëkeq serb me emrin Goran Radosavleviq, i njohur në Serbi me nofkën “Guri”. Këtë e vërteton edhe më shumë fakti që më 7 mars, pas kryerjes së masakrës, Radosavleviq kishte shkuar në Prekaz gjatë kohës që po bëhej largimi i trupave.

Radosavleviq aktivitetin e tij kriminal nuk e ndali edhe pas krimit në familjen Jashari. Në janar të vitit 1999 ai udhëhoqi një tjetër masakër të tmerrshme, atë të Reçakut ku u vranë 45 civilë shqiptarë. Edhe këtë krim, Radosavleviq nuk e kishte fshehur.

“Ishte një veprim legjitim i pastër policor, dhe antiterrorist. Aty nuk pati masakrës, u vranë vetëm terroristët që bënin rezistencë”, kishte deklaruar Radosavleviq për mediat serbe.

Radosavleviq është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte përgjegjës për zhdukjen e më pas vrasjen e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit. Tre vëllezër shqiptarë me nënshtetësi amerikane, që kishin ardhur për të luftuar në Kosovë. Familja Bytyqi dhe institucionet më të larta të Amerikës, e kishin akuzuar komandantin famëkeq serb se ishte direkt shkaktar për vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi.

Në vitin 2010, Radosavleviq u bashkua me Partinë Përparimtare të Serbisë të Aleksandar Vuçiqit, presidentit aktual të Serbisë. Që nga maji i vitit 2014, Radosavleviq ishte anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Partisë Përparimtare të Serbisë./Nacionale