Kushërira e kryetarit, familjarja e kryetarit të degës dhe e afërmja e kryesuses në Vushtrri rehatohen në punë në sistemin publik

Diarta Idrizi dhe Melihate Basholli e Ardena Ujkani janë vetëm disa nga punësimet e fundit të Komunës së Vushtrrisë.
Këta dy emra, janë emrat e një familjareje dhe një të afërme të krerëve komunal të Vushtrrisë, respektivisht, kryetarit Ferit Idrizi dhe kryesueses së Kuvendit Komunal me të njejtin emër, Melihate Bashollit, shkruan “Mitropol”.
Kryetari Ferit Idrizi mund të cilësohet ‘me fat’, pasi pas disa familjarëve e të afërmve të tij që janë punësuar në sistemin publik, një vend pune në këtë sistem ka siguruar edhe kushërira e tij, Diarta Idrizi.
Bazuar në dokumentin e mëposhtëm të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së udhëhequr nga Ferit Idrizi, shihet se Diarta Idrizi do jetë edukatore në IP “Foleja” në Vushtrri.
Por, Diarta Idrizi nuk është kushërira e vetme që gjeti një vend pune Në vendimin e 25 shtatorit, një vend pune gjeti edhe Melihate Basholli, e cila u punësua si edukatore në po të njejtin institucion.
Basholli është e afërmja e kryesuses së Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, me të cilën ndajnë edhe emrin por edhe mbiemrin e njejtë.
Edhe Ardena Ujkani e cila ndodhej në listën e PDK-së për asamble komunale në zgjedhjet e vitit 2017 ku pati veç 8 vota, u punësua në të njejtin institucion në kohën kur PDK ndodhet në pushtet tash.

Veç tyre, “Mitropol” gjen se në një konkurs tjetër publik për rekrutimin e 18 mësimdhënësve, në një vend pune është pranuar edhe vajza e vëllaut të kryetarit të degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazit, Dafina Kajtazi.

“Mitropol” është duke kryer hulumtim edhe mbi ca punësime të tjera të cilat dyshohet se janë kryer mbi baza familjare e partiake në sistemin arsimor e atë shëndetësor të cilin do e publikoj ditëve në vijim bashkë me detajet e arsyet që qëndrojnë prapa skenave për anulim konkursesh publike./Mitropol/









