
Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është sulmuar fizikisht mbrëmjen e së shtunës në veri të Mitrovicës.
Sipas informacione të siguruara nga Paparaci, Rakiq dyshohet se është sulmuar nga Goran Vuçetiq, derisa ngjarja e dhunshme ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në një kafene në veri, në rrugën “Sutjeska”.
Bazuar në burimet e “Paparaci”, Goran Vuçetiq është pronar i lokalit në të cilin ka ndodhur sherri.
Pasi deputeti i Kuvendit të Serbisë, Goran Rakiq, është sulmuar, atë e ka ndihmuar dhe dërguar në spital deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq.
Ky i fundit e ka shoqëruar pothuajse gjatë gjithë kohës në spital, ish-kryetarin e Listës Serbe. Dy hetues të policisë i kanë shkuar në banesë Rakiqit, ku i kanë rekomanduar që të kthehet në spital dhe të bashkëpunojë në lidhje me rastin.
KP duke iu referuar burimeve të veta raporton se që të dy këto kërkesa i sulmuari i ka refuzuar.
Paparaci mëson se, Goran Vuçetiq është vëllai i Vladimir Vuçetiq, i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Autoritetet kosovare patën siguruar informacione për Vladimir Vuçetiqin. Ai është pjesëtar i “Mbrojtjes Civile” dhe i “Brigadës së Veriut”, organizata që Kosova i ka shpallur terroriste. Policia ka gjetur prova në vendin e krimit, që dëshmojnë përfshirjen në sulm.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit me veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës së PSRK-së, përmendet emri i Vuçetiqit, në krye me Milan Radoiçiqin.
Sipas këtij dispozitivi, më 24 shtator 2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit, në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.
Tutje, sipas aktakuzës të njëjtit janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda.
Me ç’rast, sipas aktakuzës, tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti, e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi./Paparaci