Ky është personi që kaloi kufirin me veturën në të cilën u gjet i vdekur viktima te Rruga C

Mbrëmjen e sontme u raportua për vrasjen që ndodhi te ‘Rruga C’ në Prishtinë, ku një person është privuar nga jeta, duke u qëlluar me kallashnikov. Viktima nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve dhe ka vdekur, ndërsa të dyshuarit kanë arritur të ikin.
Sinjali mëson se me veturën me targa të Maqedonisë që u gjet në vendin e ngjarjes dyshohet se kufirin e ka kaluar personi Driton Tusha dhe i njëjti dyshohet se është personi që u gjet i vdekur.
Ndonëse nuk është konfirmuar me ndonjë mjet identifikimi, organet e ndjekjes kanë ngritur dyshime se personi i vrarë është Driton Tusha.
Megjithatë, akoma po punohet intensivisht për konfirmimin e identitetit të viktimës së ekzekutuar si në filma.
Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor që ka intervenuar në vendin e ngjarjes dhe më pas trupi është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Ndërsa vetura e personave të përfshirë në këtë rast, u gjet e djegur jo shumë larg vendit ku ndodhi vrasja.
Në automjetin që të dyshuarit ia vënë flakën për t’i zhdukur gjurmët, zyrtarët policorë kanë gjetur dy kallashnikovë, armë këto të cilat dyshohen se janë përdorur për vrasjen e viktimës.







