Ky është pjesëtari i FSK-së që përfundoi në Polici, dyshohet se shkaktoi rrezik me përdorimin e armës

Edhe këtë vit kosovarët vazhduan me avazin e vjetër, duke festuar me armë, prej të cilave e pësuan disa qytetarë që u plagosën. Sinjali raportoi pak më parë se edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës po dyshohet për një rast të shkaktimit të rrezikut në Gjilan, ku gjuajti me armë.
Për rastin është njoftuar edhe FSK-ja, ndërkohë që ndaj tij janë iniciuar dy raste. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ushtari i dyshuar për këtë rast është Landrit Hoti, 25-vjeçar, i cili po dyshohet për dy vepra penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës”.
Hoti po dyshohet se ka gjuajtur me armë në shenjë gëzimi, pak pas ndërrimit të viteve. Për pasojë, nga të shtënat, një predhë ka përfunduar në veturën e një qytetari.
Pjesëtari i FSK-së po dyshohet se ka shkaktuar rrezik me përdorimin e armës, prandaj rasti është denoncuar menjëherë në Polici. Një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është marrë edhe një deklaratë nga i dyshuari dhe është njoftuar mbikëqyrësi i tij në FSK.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








