
Pak më parë u raportua lidhur me aksionin policor që ka nisur në orët e para të mëngjesit nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda.
Këtë tashmë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe prokurori i rastit, Rasim Maloku, i cili ka bërë me dije se aksioni ka rrjedhë prej rastit ‘Brezovica’ , ka të bëjë me fajde dhe po zhvillohet në disa regjione të vendit.
Sinjali mëson ekskluzivisht se aksioni policor po zhvillohet në regjionin e Prishtinës, Ferizajt, në Vushtrri dhe Lipjan.
Cak i bastisjeve janë disa autosallone, shtëpi private e objekte tjera përcjellëse në Prishtinë.
Prokuroria, përmes një komunikate për media kanë bërë me dije se bastisjet në Prishtinë, Ferizaj, Vushtrri e Lipjan, po bëhen për shkak të dyshimit të veprave ‘Fajdeja’, ‘Shmangia nga tatimit’ dhe ‘Detyrimi’.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive, lokaleve përcjellëse dhe auto salloneve, sot, është duke e realizuar një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”, ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrisë dhe Lipjanit, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.







