LAJMI I FUNDIT: Veteranët e UÇK-së fitojnë kontestin me Ministrinë e Financave në Gjykatë Supreme

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 14.A, paragrafi 1, nënparagrafi 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për kompensim financiar.
Vendimi u mor pas kërkesëpadisë së paraqitur nga disa veteranë të luftës (L.S., N.Q., T.S. dhe S.M.) kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Gjykata konstatoi se udhëzimi administrativ i kontestuar ishte në kundërshtim me Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, pasi kërkonte vërtetim nga ATK se veterani “nuk është në marrëdhënie pune” për të përfituar kompensimin.
Sipas Gjykatës, e drejta për kompensim nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës, por nga burimi i pagës. Veteranët që punojnë jashtë institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit apo jashtë ndërmarrjeve publike, gëzojnë të drejtën e kompensimit deri në 50% të shumës së paraparë me ligj.
Gjykata vlerësoi se Ministria kishte dështuar ta harmonizonte udhëzimin administrativ me ndryshimet ligjore të bëra pas vitit 2017, duke krijuar pasiguri juridike dhe cenim të të drejtave të veteranëve.
Në përfundim, Gjykata Supreme urdhëroi harmonizimin e udhëzimeve administrative me ligjin në fuqi, për të garantuar zbatimin e drejtë dhe të njëtrajtshëm të të drejtave të veteranëve të UÇK-së.







