“Largimi, rezistenca”, Skenarët me të cilët mund të përballen kryetarët e rinj të katër komunave veriore

Mitrovica e veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani u bën me kryetarë të rinj. Anipse komuna me shumicë të popullatës serbe, katër kryetarët e këtyre komunave i takojnë etnisë shqiptare . Dy kandidatët e VV-së, respektivisht në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq dhe dy të PDK-së, në Zveçan e Zubin Potok, pritet që së shpejti të marrin detyrën e tyre. Por cilët janë skenarët, me të cilët mund të përballen kryetarët e rinj?
Largimi i Kryetarit
Ligji për Vetqeverisje Lokale, e parasheh largimin e kryetarit nga qytetarët, me rast dhe formë të caktuar.
Neni 72 përcakton specifikisht largimin e kryetarit. Ky nen në mënyrë eksplicite u jep lirinë qytetarëve që të ndërmarrin iniciativë ligjore për largimin e kryetrit të komunës.
Në pikën 2 të Nenit në fjalë thuhen këto fjalë:
“72.2 Kërkesa e tillë (për largim të kryetarit) duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) për qind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.”
Por, e gjithë kjo procedurë saktësohet në pikën 3 të këtij neni ku thuhet si vijon:
“72.3 Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet.”

Nëse e vërejmë me kujdes, ndërmjet pikës 2 dhe 3 të këtij neni, përmenden terma si “institucioni përkatës për administrimin e votimit”, e “shumica e votuesve të regjistruar”, për të sqaruar këto terme, Gazeta Nacionale ka pyetur Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“Sipas Ligjit për Vetqeverisjen lokale, si formë e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje lokale, përtej zgjedhjeve, është edhe institucioni i “largimit” të kryetarit nga detyra, pavarësisht arsyeve. Ky mekanizëm nuk është shfrytëzuar asnjëherë në Kosovë, si dhe nuk ekziston legjislacion sekondar që do të përcaktonte në mënyrë më të detajuar hapat procedural për zbatimin e tij. Por, nga ajo çfarë veçse është e normuar në ligj, për inicimin e kësaj kërkese duhen nënshkrimet e të paktën 20% të votuesve të regjistruar në atë komunë, të cilat përcillen tek KQZ-ja dhe ministria. Ndërsa, KQZ-ja e obliguar pastaj të zhvillojë proces të votimit, që de-facto është një lloj referendumi, ku qytetarët pyeten se a janë ‘për’ apo ‘kundër’ largimit të kryetarit përkatës. Për të qenë e suksesshme si procedurë, duhen votat e shumicës (50%+1) të votuesve të regjistruar në atë komunë. Pra, ky mekanizëm kërkon nivel më i lartë i daljes së votuesve, e cila duhet të jetë minimalisht më shumë se gjysma, ndërsa rezultati përfundimtar është valid vetëm nëse ‘për’ kanë votuar më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar (jo vetëm atyre që kanë dalë në zgjedhje) në atë komunë. Në rast se është arritur ky prag, atëherë duhet të shpallet procedurë e mirëfilltë zgjedhore, e cila mbahet në afatin prej 30 deri në 45 ditë.” – ka sqaruar Cakolli.

Marrë parasysh disponimin e shprehur në zgjedhjet në këto katër komuna, ku dolëm vetëm 3.7 për qind e votuesve mund të thuhet se Lista Serbe vazhdon të gëzojë popullaritetin më të madh.
Nëse ekziston vullneti për tu kthyer në institucionet e Kosovës, një skenar i tillë, mund të realizohej, brenda legjislacionit të Republikës së Kosovës, respektivisht Ligjit për Vetqeverisje Lokale.
Thirrja për rezistencë
Skenar tjetër me të cilën mund të përballën kryetarët e këtyre komunave, është ajo që gjërësisht njihet si “mosbindje civile”, e që në fakt është joligjore. Por, një skenar të tillë Lista Serbe tashmë e ka aplikuar, edhe pse jo në këto kushte.
Ishte momenti i arrestimit të Milovan Bozoviq, kur ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla e “denoncoi” Listën Serbe, për thirrjen për rezistencë.
“Thirrja për kryengritje dhe rezistencë është vepër e rëndë penale në Republikën e Kosovës. Ajo bëhet edhe e papranueshme kur vjen nga një subjekt parlamentar politik. Të tillët duhet të trajtohen dhe nga institucionet e pavarura e KQZ, për të verifikuar përshtatshmërinë e tyre në raport me rendin tonë kushtetues.
Para shprehjes me zell të skajshëm në mbrojtje të kriminelëve, Beogradi, Lista Serbe dhe zyra e ashtuquajtur për Kosovë duhet të deklarohen e pozicionohen rreth veprimtarisë së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”.
Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë në asnjë formë që siguria e qytetarëve tanë në veri të cënohet, që ata të ndjehen të frikësuar apo të terrorizuar nga kushdo.” – shkroi Sveçla.
Ministri, madje bëri thirrje, drejtuar KQZ-së, e organeve të Drejtësisë, të veprojnë në lidhje me këto veprime.
“Thirrja për kryengritje dhe rezistencë është vepër e rëndë penale në Republikën e Kosovës. Ajo bëhet edhe e papranueshme kur vjen nga një subjekt parlamentar politik. Të tillët duhet të trajtohen dhe nga institucionet e pavarura e KQZ, për të verifikuar përshtatshmërinë e tyre në raport me rendin tonë kushtetues. Çdo kush dhe ne presim që institucionet e drejtësisë të veprojnë sa më parë, pa dilema e hezitim.” – vazhdonte reagimi i Sveçla.
Për këto denoncime të Sveçlës, Nacionale kishte pyetur KQZ-në e Prokurorinë, por as njëra e as tjetra nuk u janë përgjigjur pyetjeve tona.
Thirrja për rezistencë, çka thotë Kodi penal
Thirrja për rezistencë është vepër penale, e sanksionueshme deri në 5 vjet burgim.
Në nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, parashihen konsekuencat e kryerjes së kësaj vepre.
“Kushdo që thërret të tjerët për rezistencë apo mosbindje ndaj vendimeve apo masave të ligjshme të nxjerra nga organi apo zyrtari kompetent, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.”- thuhet në paragrafin e parë, të këtij neni.
Kurse paragrafi i dytë, parasheh sanksionim më të lartë, e ka të bëje me atë lloj rezistence që pamundëson zbatimin e vendimit, dhe hasë në vështirësi të mëdha.
“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vështirësi të mëdha apo pamundësi të zbatimit të vendimit, masës apo veprimit zyrtar të ligjshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.









