Letra e Biden për Vuçiqin: Mediat serbe raportojnë që s’e përmendi fare njohjen reciproke

Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, i ka dërguar një letër urimi për ditën e Shtetësisë presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Por, kjo letër megjithatë nuk është publikuar e plotë deri tash, dhe në bazë të raportimit të medieve serbe… presidenti Biden nuk e ka përmendur fare “njohjen reciproke”.
Serbia po e feston sot më 15 shkurt Ditën e Shtetit. Presidenti amerikan, ashtu si për çdo vit tjetër, i dërgoi një letër uruese presidentit serb.
Biden i kishte dërguar një letër urimi presidentit Vuçiq edhe në shkurtin e vitit 2021, por më të gëzuar prej saj kishin mbetur kosovarët se sa serbët. Në mënyrë të hapur ai përmendte “njohjen reciproke me Kosovën” si një qendër në të cilën duhej të arrihej marrëveshja për normalizim.
Sidoqoftë, në bazë të raportimit të medieve serbe, njohja reciproke nuk po përmendet sivjet askund në mesazhet e tij.
Mediumi Tanjug raporton që në këtë mesazh, Biden kishte folur për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes ShBA-ve dhe Serbisë. Sa i përket dialogut, kishte thënë që do ta mbështeste rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) e po ashtu edhe marrëdhëniet e normalizimit të raporteve me Kosovën.
“Biden shtoi se ShBA-ja e mirëpriti mbështetjen e Vuçiqit për propozimin e BE-së (franko-gjerman) për normalizim që do të ndihmonte në krijimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese në rajon,” – raporton Tanjug.
Mediumi N1 në raportimin e tij për këtë letër, e vë qysh në hyrje mesazhin e Bidenit për propozimin e BE-së (planin franko-gjerman) mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërkohë, edhe pjesa tjetër e raportuar është identike me atë të raportuar nga Tanjug.
Aty thuhet se informacionet për letrën janë marrë nga zyra e presidentit Vuçiq.
Përveç këtyre mesazheve, aty raportohet se presidenti amerikan i ka kërkuar Serbisë “vazhdim të mbështetjes për popullin e Ukrainës dhe t’i kërkohej llogarisë Rusisë për luftën e padrejtë dhe të paprovokuar kundër Ukrainës”.
Të njëjtën përmbajtje ka edhe raportimi i Kosovo-Online për këtë letër.
Po Blinkeni?
Në bazë të raportimit nga Pavlovic Today, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po ashtu ka dërguar një mesazh “të ngrohtë e urues” për Serbinë.
Sa i përket çështjes së dialogut, ai tregohet më specifik se presidenti Biden duke përmendur madje edhe takimin e 20/21 janarit të presidentit Vuçiq me emisarët ndërkombëtarë.
“Unë e mirëprita angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët nga ShBA, BE, Franca, Gjermania dhe Italia në vizitën e fundit të tyre në Beograd.”
ShBA edhe më herët kishte shprehur qëndrimin se nuk ishte koha për njohje reciproke, çka kishte nxitur edhe kritika të mëdha nga ana e partive opozitare./Nacionale/








