“Letra që bashkon: Paneli në Prishtinë rikthen kujtesën e lidhjeve mes Ballkanit e Anadollit”

Në Prishtinë u mbajt një panel diskutimi me një temë që solli një ide të fuqishme e simbolike: “U ndamë në letër, po bashkohemi në letër”, shkruan Mitropol.
Aktiviteti, i organizuar nga Instituti Kulturor Turk “Yunus Emre” në bashkëpunim me shtëpinë botuese turke “Ketebe”, mblodhi bashkë diplomatë, shkrimtarë, studiues dhe dashamirë të letërsisë në një atmosferë ku fjala dhe kujtesa u shndërruan në ura lidhëse.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, i cili në fjalën e tij solli një reflektim të ngrohtë për marrëdhënien historike mes Rumelisë dhe Anadollit.
“Në letër mund të dukemi të ndarë, por në shpirt, në zemër dhe në kujtesë, ne kemi qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit”, u shpreh ai, duke e përshkruar këtë hapësirë të gjerë të Ballkanit si pjesë të pandarë të historisë dhe kulturës turke.
Pjesë e tubimit ishin edhe drejtori i YEE-së në Kosovë, Ramazan Yılmaz, si dhe kryetari i Komitetit Përfaqësues Turk të Kosovës, Koloneli i Këmbësorisë, Harun Elitaş. Në diskutime u theksua se diplomacia kulturore është një mision i përhershëm, dhe se përmes ngjarjeve të tilla po vendosen ura të reja miqësie që shkojnë përtej politikës dhe kufijve.
“Ne ndihemi të obliguar që t’i sjellim në pah vlerat e përbashkëta, të krijojmë synime të reja dhe të punojmë drejt tyre. Kjo është arsyeja pse organizojmë këto takime”, u shpreh Yılmaz, duke nënvizuar rolin e institutit si bartës i një misioni afatgjatë për afrim kulturor mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit.
Në skenë erdhën edhe dy autorë të njohur, publicisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, dhe shkrimtari turk Ayhan Demir.
Ata ndanë përvojat dhe mendimet e tyre mbi fuqinë që ka letërsia për të bashkuar popuj e kultura, duke kujtuar se libri mbetet një urë e pathyeshme komunikimi.
Demir e theksoi qartë: “Ballkani zë një vend të veçantë në zemrat e turqve. Përmes letrës, ne mund të rikthejmë lidhjen me shqiptarët, boshnjakët e turqit e kësaj treve.”
Gjatë takimit, autorët prezantuan edhe veprat e tyre, duke e shndërruar panelin jo vetëm në një debat idesh, por edhe në një ekspozim të pasurisë kulturore që prodhon fjala e shkruar.
Ky rrugëtim kulturor nuk përfundon në Prishtinë. Të njëjtin mesazh do ta dëgjojë edhe Shkupi, ku më 3 tetor do të mbahet një ngjarje e ngjashme, me synimin për ta zgjeruar rrethin e bashkimit kulturor përmes letrës./Mitropol/








