Active 2
KOSOVËLAJME

Lidhjet e Nagip Krasniqit me Vetëvendosjen: ‘Kapja’ e pozitës së kryeshefit dhe arrestimi për dallavere

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua dhe u ndalua sot nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikt të interesit, shumë herë është etiketuar si “Njeriu i Vetëvendosjes” për shkak të lidhjes që ka pasur me këtë parti, e cila është sot në pushtet.

Krasniqi ka qenë pjesë e VV-së, duke drejtuar komitetin për energji, derisa i erdhi “rendi” për ta kapur pozitën e kryeshefit në KEK, raporton Sinjali.

Dukato 1

Ai u zgjodh në këtë pozitë nga bordi i përkohshëm i KEK-ut, i cili ishte emëruar pa konkurs, e të cilët ia dhanë Krasniqit 37 pika nga 40 sa ishin në total.

Qysh në vitin 2019, ai ishte takuar me Besnik Bislimin, i cili tash është zëvendëskryeministër, me të cilin kishin pritur delegacion nga Millennium Challenge Corporation.

“Sot, nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Besnik Bislimi, drejtuesi i Komitetit për Energji, z. Nagip Krasniqi dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti pritën në takim një delegacion të nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ), të kryesuar nga drejtorja menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, znj. Caroline T. Nguyen”.

Çka dihet për aksionin e sotëm?

Pas bastisjeve të kryera, Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.

Sipas njoftimit, Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë, teksa janë bërë të ditura detajet nga bastisjet që kanë kryer Krimet Ekonomike.

“Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka  bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. 

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.“, thuhet në njoftim.

 Krasniqi kërkoi trajtim mjekësor në QKUK, por më pas e refuzoi

Avokati i tij, Taulant Ferizi, ka deklaruar se Krasniqi ka kërkuar tretman mjekësor në QKUK, pasi sipas tij i është përkeqësuar gjendja gjatë bastisjes.

Sipas tij, nga ajo që kanë mësuar, kontrolli është kryer për dy kontrata të nënshkruara në fushën e prokurimit.

“Jo, nuk është e vërtetë që drejtori ka refuzuar me iu bastisë banesa. Pas ardhjes së policisë, një numër goxha të madh të policisë për bastisje edhe për jo profesionalizmin e tyre që është tregu ka kërku që të dërgohet në QKUK. Kanë ardhë ekipet mjekësore të Emergjencës dhe e kanë vlerësuar që i njëjti ka nevojë me u dërgu në QKUK”, ka thënë ai.

Krasniqi u dërgua në këtë qendër, por nga Emergjenca e kanë konfirmuar se i njëjti ka refuzuar të kontrollohet nga mjekët në këtë klinikë.

Doktori Naser Syla ka treguar se Krasniqi nuk ka pranuar të marrë trajtim aty.

“Po, e kanë sjellë Policia dhe e kanë marrë prapë me veti. Nuk e di çfarë shqetësime ka pasur, por nuk ka dashur të kontrollohet”, tha Syla.

KEK-u thotë se s’ka informacion pse Policia ia kontrolloi zyrat

Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës tha se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për kontrollin e kryer nga Policia e Kosovës në zyrat e këtij institucioni të mërkurën.

Në një komunikatë dërguar mediave, KEK-u tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit si dhe do të ofrojë qasje të plotë “në cilëndo kërkesë nga këto organe”.

“Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Premium Store