“Lirohet nga klinika brenda pak ditësh”, neurokirurgu jep lajme të mira për gjendjen e Elza Ujkanit
Drejtori i Neurokirurgjisë në QKUK, Besnik Elshani, ka ndarë detaje mbi gjendjen shëndetësore të Elza Ujkanit, 23 vjeçares që u lëndua pas rënies së kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës.
Elshani në një intervistë ka thënë se gjendja e Elzës është stabile dhe se e njëjta pritet të lirohet nga spitali brenda disa ditëve.
“Gjendja e Elzës është stabile. Është në repart, jashtë rrezikut për jetë. I kemi marrë të gjitha masat tjera shtesë. Janë bërë ekzaminimet laboratorike, radiologjike e të gjitha konsultat tjera.
Dhe tash është në fazën e rehabilitimit dhe në fazën e terapisë fizikale dhe besoj që për disa ditë ajo do ta marrë vetën dhe do të lirohet nga klinika” ka thënë Elshani për indeksonline.
Gjendja shëndetësore e Elzës deri më tani po mbikëqyrej në Klinikën e Kujdesit Intensiv, aty edhe ku ishte dërguar.
Ajo pësoi lëndime të rënda trupore ditën e 18 janarit, teksa ishte duke ecur pranë objektit të Komunës.