
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se Kryeministri i Kosovës, njëherit Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ende nuk i ka kthyer përgjigje në lidhje me kërkesën e Abdixhikut për shkurtim të fushatës së zgjedhjeve lokale në 10 ditë, shkruan Mitropol.
Abdixhiku ka propozuar që fushata për zgjedhjet lokale të shkurtohet nga 30 ditë në 10 ditë, për shkak të situatës të rënduar me covid-19.
Idenë e shkurtimit të fushatës po e përkrahë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bile Haradinaj ka kërkuar që fushata të bëhet vetëm 5 ditë. Teksa këtë ide e ka përkrahur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Postimi i Abdixhikut:
Sot në mëngjes, nëpërmjet një mesazhi publik, kam ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare për një pakt partiak rreth shkurtimit të fushatës zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë; gjithmonë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore në vend.
Në orën 11:45, kam marrë përgjigje pozitive, në formë të shkruar, nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj; madje me një propozim të ri që fushata të mos zgjasë më shumë se 5 ditë.
Në ora 18:00, ndërsa, kam marrë konfirmimin tjetër nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, i cili, poashtu ka shprehur gatishmëri për një shkurtim eventual të fushatës zgjedhore. I falënderoj të dy për përgjigjjet e menjëhershme.
Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë.
Hapat tonë partiak, shërbejnë në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, më 17 tetor, të sigurtë për të gjithë, përgjegjës ndaj të gjithëve.








