Masa të shtuara të sigurisë, para fillimit të seancës për rastin Banjska

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.
Para nisjes së seancës, janë shtuar edhe masat e sigurisë të Pallati i Drejtësisë.

Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Besohet se ai, dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, ndodhen në Serbi.
Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur.
Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk e parashihet me ligjet e Kosovës.