KOSOVËLAJME

Materialet arkivore të komunave veriore transferohen në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës

Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) ka bërë të ditur se ka përfunduar transferimin (pranimin) e materialit arkivor– pjesë e fondeve arkivore të Arkivit Ndërkomunal të Mitrovicës, që mbahej ilegalisht nga strukturat paralele ilegale në komunat: Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Roadside
Market Florenti

Sipas ASHAK-së materiali arkivor është pranuar/dorëzuar nga Policia e Kosovës në përputhje me procedurat e parashikuara në Ligjin Nr.08/L-111 për Arkivat dhe aktet nënligjore dhe është vendosur/deponuar në vendruajtjet e ASHAK -së.

Market Florenti
Florenti Company
Market Florenti
Koha

 ASHAK thotë se në masë të madhe materiali arkivor i pranuar në ASHAK, i takon viteve 1944 – 2000.

Procesi i pranim-dorëzimit, të këtij materiali është mbikëqyrur nga inspektorët dhe udhëheqësit e ASHAK dhe ky material mjaft voluminoz, do t’i nënshtrohet procedurave të përpunimit, rregullimit dhe digjitalizimit dhe përfundimisht, dhe siç thuhet më tej në njoftim, do t’i bashkohet fondeve arkivore sipas parimeve, kritereve dhe normave profesionale të arkivistikës.

“Megjithatë ASHAK, në përputhje me nenin 13 (paragrafi 2) të Ligjit Nr.08/L–111 për Arkivat, nga Policia e Kosovës si fondposedues (komunat ilegale nuk kanë status as të fondkrijuesit dhe as të fondposeduesit për shkak të veprimtarisë ilegale), ka pranuar materiale të prodhuara nga aktiviteti i strukturave ilegale paralele në komunat veriore të cilat, megjithëse nuk kanë vlerë të dokumentacionit zyrtar marrë parasysh që janë krijuar në kundërshtim me rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, mund të shërbejnë si material për nevoja hulumtuese”- thuhet në njoftim.

ASHAK thotë se në përputhje me mandatin ligjor, pas përpunimit dhe trajtimit të këtij materiali, në bashkëpunim me institucionet kompetente të Republikës së Kosovës do të vendosë përfundimisht për formën e administrimit afatgjatë të këtij dokumentacioni.

“Pranimi i sasisë së materialit arkivor nga komunat veriore në ASHAK, është një e arritur e jashtëzakonshme e gjithë rrjetit zyrtar arkivor në Republikën e Kosovës për shkak se tashmë kemi një progres të ndjeshëm në bashkimin e fondeve arkivore si detyrim i ruajtjes dhe administrimit efikas të kujtesës sonë kolektive, për çka ne e falënderojmë Policinë e Kosovës për mbështetje dhe asistim efikas gjatë procesit të transferimit të kësaj sasie të materialit në arkivin kompetent”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ASHAK, bënë të ditur se duke u bazuar në faktin se Ligji Nr.08/L–111 për Arkivat, nuk lejon më arkiv të qytetit, të marrë masa që arkivat që për momentin funksionojnë me komunat, të barten/transferohen në strukturën e arkivave ndërkomunale.

Më 30.08.2024, gjatë një aksioni të përbashkët të institucioneve të Kosovës janë mbyllur pesë institucione paralele serbe në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.