
Partia në pushtet mbrëmë në Prishtinë e ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot, radha është e partive opozita.
Gjatë ditë se sotme, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja do t`i mbajnë tubimet e tyre përmbyllëse. Derisa dy partitë e mëdha opozitare tubimet e tyre do t`i mbajnë në sheshet e Prishtinë, AAK-ja ka zgjedhur që tubimin e fundit ta mbajë në Pejë.
Kandidatë e këtyre partive për kryeministër kanë paralajmëruar se këto tubime do të jenë madhështore.
Partia Demokratik e Kosovës tubimin përmbyllës do të mbajë sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Tubimi do të mbahet në ora 16:00.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka ftuar simpatizantët e PDK-së që të marrin pjesë në këtë tubim, duke shtuar se do të jetë një mbrëmje e paharrueshme.
“Qytetarë të dashur, Jemi në ditët e fundit të fushatës sonë pozitive. Kemi dëshmuar se Kosova mundet ma mirë dhe tani jemi vetëm një hap larg nga fitorja jonë e përbashkët! Këtë të shtunë, më 8 shkurt, ju ftoj të gjithëve në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Nga ora 16:00 fillojmë të mblidhemi! Shihemi të shtunën! Le ta bëjmë këtë mbrëmje të paharrueshme!”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tubimi përmbyllës do ta mbajë sot në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka treguar se tubimi do të mbahet në ora 18:00.
“Të shtunën, të gjitha rrugët na sjellin në Sheshin më të madh të Republikës, në tubimin më të madh elektoral, në ringritjen më të madhe të djathtë! ✌️ Ejani. Si festë, si refuzim estetik i ndarjes, përçarjes, urrejtjes – si shpresë për të bërë të ardhmen e këtij vendi siç e ka merituar gjithëherë! 🇽🇰 E shtunë, 8 shkurt, ora 18:00. Sheshi Skënderbeu, Prishtinë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Madje, ai i ka ftuar qytetarët që të vishen trash në këtë tubim.
“Vishuni trash, vishuni mirë; le të mbyllim në festë e shpresë gjithë rrugëtimin e tanishëm; për të nisur një të ri! FITORE DHE ASGJË MË PAK!”, ka shkruar i pari i LDK-së.
Kurse, koalicioni AAK-Nisma tubimin përmbyllës do ta mbajnë në qytetin e Pejës.
Zyrtarët e këtij koalicioni kanë bërë me dije se tubimin do të mbahet në ora 13:00.
Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se ky tubim do të jetë tubimi më i madh politik që nga paslufta në Kosovë.
Në një lidhje direkte në emisionin “Adresa”, Haradinaj ka thënë se nga Peja do t’ju përgjigjen kundërshtarëve, nga të cilët, siç tha ai po sulmohen.
“Peja është qyteti ku është nisur Aleanca edhe meqë po sulmohemi drejtpërdrejtë pikërisht në Pejë, po dojmë me e kthy përgjigjen pikërisht aty ku e kemi nisur dhe mendojë që do të jetë një përgjigje edhe për kundërshtarët e brendshëm dhe të jashtëm”, ka thënë Haradinaj.
Partitë politike fushatën zgjedhore e kanë hapur më 11 janar. Përgjatë kësaj kohe ato kanë mbajtur dhjetëra tubime nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ku kanë prezantuar programet e tyre para qytetarëve.