
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për largimin e katër kryetarëve të komunave Veriore, përkatësisht Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.
Vendimi është marrë në mbledhjen që ka mbajtur KQZ-ja këtë të premte. Për caktimin e 21 prillit si datë e mbajtjes së votimeve për largimin e kryetarëve të komunave Veriore kanë votuar 8 pro, ndërsa 2 kanë abstenuar.
Rekomandimi për caktimin e 21 prillit u bë nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.
Nga Sekretariati i KQZ-së, që ka qenë përgjegjës për verifikimin e nënshkrimeve, bënë me dije se është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve, çka i hapi rrugë votimit për largimin e krerëve të komunave Veriore.
Në fjalën e tij, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka njoftuar se në Komunën e Leposaviqit, që udhëhiqet nga Lulzim Hetemi, peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit e kanë nënshkruar 3 mijë e 30 persona, prej tyre, është vërtetuar se 2 mijë e 95 janë banorë të kësaj komune.
Megjithatë, ky numër ka qenë i mjaftueshëm për ta arritur 20 për qindëshin e kërkuar, e kjo shifër arrihej me 2 mijë e 689 nënshkrime.
Ndërsa, në Zubin Potok, komunë nën drejtimin e Izmir Zeqirit, nga gjithsejtë 1 mijë e 576 nënshkrime, 1 mijë e 380 janë vërtetuar se janë qytetarë me të drejtë vote. Duke pasur parasysh numrin e përgjithshëm të votuesve, në këtë komunë për ta arritur 20 për qindëshin duheshin 1 mijë 347 nënshkrime.
Sa i përket komunës që udhëheqë Ilir Peci, pra Zveçanit, u vërtetuan 1 mijë e 380 nënshkrime nga gjithsejtë 1 mijë e 834 sa ishin. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej që të firmosshin së paku 1 mijë 347.
Ndërsa, te Komuna më e madhe Veriore – Mitrovica e Veriut, është vërtetuar se 3 mijë e 653 nënshkrues ishin banorë me të drejtë vote nga 4 mijë e 148 sa ishin në total. Numri i nevojshëm për të kaluar peticioni ishte 3 mijë e 640.
Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryeartëve në katër komunat në Veri, u bë janarin e këtij viti. Këto nënshkrime ishin mbledhur në një periudhë të shkurtër kohore./AlbanianPost







