Me armë në dritare: Rrëfimi i Vetone Kosova Veliut për dëbimin e shqiptarëve nga shkolla në Zveçan

“Ka qenë e ngulitur në kokën tonë: ‘Kosova Republikë’ dhe çlirimi nga Serbia”, rrëfen Vetone Kosova Veliu, ndërsa kujton momentin kur, së bashku me kolegë të tjerë, ishte detyruar të largohej nga shkolla e teknikës në Zveçan.
“Nga Zveçani kemi ecur në këmbë. E kam parë nga dritarja një njeri që kishte pushkën të drejtuar nga ne, qytetarët. Qytetarët serbë, në secilën shtëpi, në dritare, ishin me armë të drejtuara kah ne. Tre kilometra kemi ecur ashtu dhe nuk jemi frikësuar.”, tregon ajo.
Ky është një nga përjetimet më të forta të aktivistes së njohur dhe ish-mësimdhënëses Vetone Kosova Veliu, që u rrëfye në ciklin e emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”. Ajo flet me emocione për sfidat që përjetoi gjatë periudhës së represionit serb, si në arsim ashtu edhe në angazhimin e saj në shoqërinë civile.
Në shkollën e teknikës në Zveçan, ku ajo punonte në fund të viteve ’80, vetëm paralelet shqiptare mbeteshin pa ngrohje gjatë dimrit, ndërsa ato serbe kishin kushte normale pune.
“Temperaturat kanë qenë shumë të ulëta; të gjithë kemi qenë me grip. Më pas na përjashtuan neve shqiptarëve nga shkolla, sepse nuk pranuam të punojmë me sistemin e arsimit të Serbisë”, tregon ajo.
Pas përjashtimit, mësimdhënësit shqiptarë u zhvendosën në objekte private për të vazhduar mësimin. “Në Bajr kanë ardhur disa herë policët serbë për kontroll; një herë e kanë përgjakur një vajzë, duke e goditur në fytyrë.”
Rrëfimi i saj përfshin edhe pjesëmarrjen e hershme në shoqërinë civile. Që nga viti 1999, ajo ka qenë e angazhuar në organizata të grave si “Motrat Qiriazi”, “Community Building Mitrovica” dhe më pas ka themeluar organizatën multietnike “Mitrovica Women Association for Human Rights”. Ajo ka punuar për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe fuqizimin e grave në vendimmarrje.
“Diçka që është dashur ta bëjnë qeveritë – e kanë bërë organizatat”, thotë ajo, duke kujtuar fushatat e mbajtura në veri për të përkrahur pjesëmarrjen e grave në politikë. “Në veri, takime të shumta janë organizuar në sallone të floktarisë… ka pasur shumë grupe ekstreme që vëzhgonin kush çka po bën.”
Përveç sfidave me sistemin, ajo rrëfen edhe fillimin e saj të rastësishëm si mësuese matematike, periudhën kur nisi të merrej me tregti për mbijetesë, dhe krahasimin mes nxënësve të dikurshëm dhe atyre të sotëm.
“Fëmijë më inteligjentë se shqiptarët nuk ka, vetëm se është pa punë dhe mungon kujdesi i mjaftueshëm i prindërve. Prindërit i kanë fajet kryesore.”, përfundon rrëfimi i aktivistes.
Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.







