
Pas disa vitesh vonesa, sot me 27 vota pro është votuar për propozimin e këmbimit të disa pronave private me atë publike, që mundëson hapjen e rrugës “Ali Zeneli” në qendër të Mitrovicës, shkruan “Mitropol”.
Lëvizja Vetëvendosje ka abstenuar në votim, gjersa dy asambleistë të saj kanë votuar pro këtij propozimi.
Edhe dy asambleistë nga LDK kanë abstenuar për propozimin e këmbimit të pronave, ndërkaq të tjerët votuan pro hapjes.
Sipas Planit Rregullues Urban “Qendra”, kjo rrugë pritet të hapet nga rrethi kryesor për tek rruga “Ali Zeneli” duke vazhduar nëpër atë “Ferat Dragaj” dhe për të dalur tek Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”.
Këmbimi i pronës komunale me ato private u formalizua sot me votat e asambleistëve në Kuvendin Komunal dhe pronat e Gëzim Mikullovcit dhe Ali Eminit i këmbyen me parkingun e kombive dhe taksive përballë shkollës së Muzikës./Mitropol/








