Aurora Group
02KOSOVËLAJME

Mediat serbe bëjnë propagandë me një listë të deputetit Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, të enjten do të dilte me një listë emrash, për të cilët, thotë se janë pjesëtarë të bandave kriminale në veri të Kosovës, për të cilët, rekomandoi se duhet të arrestohen. Në po të njëjtën ditë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e konfirmoi qartë se nuk ka një listë për arrestimin e serbëve. Si po e shfrytëzojnë, krejt këtë situatë, mediat serbe për të bërë propagandë kundër Kosovës?

“Kjo është lista që unë do e rekomandoja për arrestim për një Mitrovicë pa krim, banda dhe barrikada.” – thuhet në fund të postimit të deputetit Muja, ku paraprakisht, përmenden dhjetëra emra.

Premium Store

Në mesin e tyre, janë edhe familjarë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, si dhe pjesëtarë të Listës Serbe, duke përfshirë Goran Rakiq, ish-ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti II.

Si e trajtuan mediat serbe këtë çështje?

E përdorën për të bërë propagandë. Një çështje që u raportua për shumë kohë nga mediat serbe, por pa pasur ndonjë burim apo konfirmim, filloi të trajtohet edhe më shumë me postimin e z.Mujës.

“Deputeti i Kurtit publikoi një listë skandaloze për arrestime: Vëllai dhe i biri i presidentit Vuçiq janë në listë.” – raportonte mediumi serb “Kurir”.

Një medium tjeter serb, “Politika” e titullonte artikullin kështu: “Deputeti i Kurtit publikon listën e serbëve për t’u arrestuar”.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Bratislav Gasic, e shfrytëzoi këtë situatë edhe për pretendime të tjera, duke thënë se lista e publikuar nga deputeti i VV-së, “është për të vrarë e asgjësuar”.

“Provokimet dhe kërcënimet e vazhdueshme të Armend Mujës janë një tjetër tregues se përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Prishtinë nuk do t’i lënë kurrë të qetë serbët. Lista e sotme e publikuar nga Muja nuk është gjë tjetër veçse një listë skandaloze.” – citohet të ketë thënë ai nga mediumi “Nova”.

“Danas”, u kujdes që t’ia kushtonte një shkrim Mujës edhe rreth biografisë së tij.

“Kush është deputeti që publikoi listën e pretenduar për arrestimin e serbëve: Armend Muja hyri në Vetëvendosje në prag të marrjes së pushtetit.” – kështu titullohet artikulli i këtij mediumi.

“B92”, e ka vazhduar raportimin e mediave serbe me propagandë, duke e quajtur Mujën “ekstremist shqiptar”.

Artikulli i këtij mediumi, titullohet kështu:“Ekstremistët shqiptarë humbën busullën; Ata vizatojnë objektiva për familjen e Vuçiqit dhe i vendosin në “listën e vrasjeve”

“S’ka lista”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në të njëjtën ditë që z.Muja zgjodhi rrjetin social Facebook për të publikuar listën, e bëri të qartë se nuk ekziston një e tillë për “arrestimin dhe vrasjen e serbëve”.

Në një konferencë për media nga Mitrovica, Sveçla tha se Serbia po bën fushatë të dezinformimit pas tensioneve në veri të vendit.

 

🔴 LIVE nga konferenca e ministrit Xhelal Sveçla në Mitrovicë

Posted by Mitropol on Thursday, December 22, 2022

Ai po ashtu, shtoi se “kjo është logjikë e Serbisë”, duke thënë se të njëjtat bëhen nga ata që e vranë politikanin serb, Oliver Ivanoviq.

“Një e pavërtetë që po përdoret në vazhdimësi ka të bëjë me lajmin se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët. Policia e Kosovës nuk ka lista të tilla, nuk ka asnjë listë as për përndjekje, e aq më pak për vrasje të qytetarëve serbë. Kjo është logjika që Serbia ka ushqyer historikisht. Pra, lista bëjnë ata të cilët vranë edhe Oliver Ivanoviqin, e shtypin e maltretojnë serbët e padëgjueshëm ndaj Beogradit”, u shpreh ai./Nacionale/

Weelnes