Memli Krasniqi thotë se Ferit Idrizi do ta bëjë Vushtrrinë qendër të zhvillimit ekonomik

Ferit Idrizi tashmë ka zyrtarizuar kandidimin e tij për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së.
Idrizi gjatë ditës së sotme nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se rikthehet në garë për të parin e Vushtrrisë.
Edhe kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi sot pasdite ka qëndruar në Vushtrri ku edhe ka prezantuar Idrizin.
Krasniqi tha se, “Komuna e Vushtrrisë është shembull i fuqishëm i qeverisjes së mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, deri në vitin 2017 kur të gjitha partitë kundërshtare u bënë bashkë dhe e deformuan rezultatin dhe vullnetin e qytetarëve të Vushtrrisë që kishin votuar me shumicë votash në raundin e parë për kryetarin Ferit Idrizi”.
Ai tha se PDK dhe Idrizi nuk dorëzohen në garën për Vushtrrinë.
“Por, PDK dhe kandidati ynë Ferit Idrizi nuk dorëzohet dhe nuk largohet nga beteja për të fituar në Vushtrri. Për ta rikthyer qeverisjen e mirë e zhvillimore për qytetarët e Vushtrrisë. Në tetor, qytetarët e Vushtrrisë do ta zgjedhin Ferit Idrizin i cili me punë, angazhim e projekte konkrete, do ta bëjë Vushtrrinë qendër të zhvillimit ekonomik”.







