Gazetari Arsim Lani emisionin e tij sot e ka nisur bashkë me minatorët grevistë të Trepçës 800 metra thellë në horizontin e dhjetë, derisa ata sot kanë hyrë në ditën e 10 të grevës së tyre, në kërkim të plotësimit të kushteve të tyre.
Lani ka thënë se gjendja e minatorëve grevistë është e rënduar dhe sipas informacioneve që ka marrë nga vendi i ngjarjes rreth 200 minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Ai ka treguar se dy autoambulanca qëndrojnë në hyrje të minierës, si dhe më pas ka realizuar intervista me minatorët grevistë, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me menaxhmentin.
Një prej tyre ka thënë se ushtruesi i detyrës së drejtorit asnjëherë s’ka qenë për t’i vizituar. Minatori i cili merret me xehet, ka treguar edhe për vizitën që ia ka bërë djali i tij, i cili kishte ardhur nga Gjermania.
Ai me lot në sy ka treguar se me djalin e tij ka qëndruar vetëm dy orë meqë nuk do t’i tradhtojë shokët minatorë. Ndërkohë thotë se kërkesa e djalit të tij ka qenë “vazhdojeni grevën”.