Ministri i Mbrojtjes: Mbi 115 milionë euro u shpenzuan në armatim, do të blejmë edhe këtë vit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se vitin e kaluar janë shpenzuar mbi 115 milionë euro në blerje të armatimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Maqedonci gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Siguri tha se “blerjet planifikojmë t’i vazhdojmë edhe këtë vit”.
“Realizimi i buxhetit për vitin 2023. Kemi pasur rritje të buxhetit për 100%. Pra, nga 102 milionë sa ishte në vitin 2022, është rritur në 204 milionë në vitin 2023 dhe nga ky buxhet për blerje të sistemeve të armatimit janë shpenzuar mbi 115 milionë euro”, tha ai.
Ministri tha se “kjo tregon përkushtimin që kemi pasur si Qeveri në mbështetjen e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, më saktësisht në blerjen e sistemeve të armatimit të nevojshme për të ngritur kapacitetet e FSK-së”.
“Vlen të theksohet që me mjetet shtesë që kemi marrë vitin e kaluar, kemi arritur në mbi 2% të GDP-së, që është standard për vendet e NATO-s”, tha ai.
Maqedonci foli edhe për rritje të kapaciteteve operacionale gjatë vitit të kaluar, duke njoftuar se nga një konkurs i shpallur janë rekrutuar dy grupe të rekrutëve.
“Kemi pra, 627 rekrutë të ndarë në dy grupe që janë trajnuar dhe kanë përfunduar aspektin dhe procesin e rekrutimit, të cilët këtë vit kanë filluar punën si pjesëtarë të FSK-së”, tha ai.
Maqedonci tha se 50 kadetë kanë diplomuar dhe kanë marrë gradën e oficerit, 4 prej të cilëve tha se janë shkolluar e trajnuar në akademi të ndryshme jashtë vendit.
“Sa i përket trajnimit dhe shkollimit, oficerët dhe kadetët e FSK-së janë shkolluar dhe trajnuar në akademitë ushtarake më të njohura në botë. Në vitin 2023, shkollimin e kanë ndjekur 62 kadetë”, tha ndër tjerash ministri.