Ministria e Mbrojtjes jep tender 1.8 milion euro për furnizim me çizme verore e dimërore për FSK’në për tri vjet
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë kontratë në vlerë prej 1 milion e 887 mijë euro për furnizim me çizme ushtarake për nevoja të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në e-prokurim, përmes kësaj kontrate parashihet furnizimi me çizme verore dhe dimërore për 3 vjet. Saktësisht parashihet furnizimi me 17 mijë palë çizme ushtarake, e që sipas një përllogaritje i bie se 111 euro për një palë, raporton Express.
“AK i MM-se ka për qëllim që të lidhë një kontratë kornizë 36 muajsh, me një OE qe do të ketë kapacitet, ekonomik, teknik dhe profesional te kryejë furnizimet me çizmet ushtarake verore dhe çizme ushtarake dimërore për nevoja të FSK-së, sipas kërkesës dhe nevojave te AK, në perputhje te plotë me specifikat teknike të dhëna në DT aneks 1 (specifikacioni teknik i detyrueshëm ). Sasia indikative për furnizime për periudhën kohore prej 36 muaj do të jetë: Çizme verore 8500 palë, si dhe Çizme dimerore 8500, palë , kjo sasi mund te ndryshojë +- 30%”, thuhet në dosje.
Këto furnizime do t’i kryej grupi i operatorëve ekonomik “RUNËAY SH.P.K.; GENC TAAHHUT GIYIM TEKSTIL INSAAT SAN.VE. TIC. LTD. STI VKN”.
Për këtë kontratë fillimisht ishin parashikuar 2 milionë euro. Kontrata pritet të nënshkruhet sot.