
KB Trepça dhe KB Peja janë çifti finalist i sezonit 2022/23 në kuadër të Play Off-it në Prince Caffe Superligën e Basketbollit të Kosovës. Gjatë këtij sezoni për mitrovicasit ëdhtë finalja e katërt që marrin pjesë në të gjitha garat kurse për pejanët e dyta.
Minatorët gjatë sezonit të rregullt u renditën në vendin e katërt në tabelë. “Mitropol” bëri përmbledhjen e statistikave dhe del se në 28 ndeshje të zhvilluara mitrovicasit arritën në kuotën e 17 fitoreve dhe 11 barazimeve, ku arkëtuan 45 pikë. Lokalët arritën ta mbyllin kosh-diferencën në +115, ku gjatë sezonit shënuan 2252 pikë dhe pranuan 2137 sosh.
Nga ana tjetër, ekipi nga Rrafshi i Dukagjinit në 28 ndeshje të zhvilluara zuri vendin e dytë me 21 fitore dhe 7 humbje, ku mbledhi 49 pikë, vetëm 1 më pak se vendi i parë, Sigal Prishtina. Kosh-diferenca për pejanët flet në të mirë të tyre, ku mbyllën sezonin me +208 pikë. Sulmi pejan shënoi 2299 pikë dhe mbrojtja pranoi 2091 sosh.
Në sezonin 2022/23 Trepça dhe Peja u përballën 4 herë mes vete. Gjatë këtyre përballjeve, Peja arriti 3 fitore kurse Trepça vetëm 1. Gjatë 4 ndeshjeve, mitrovicasit shënuan 301 pikë. Nga ana tjetër, Peja arriti të shënoi 9 më shumë se Trepça.
Të dy skuadrat u ballafaquan me ndërrim të trajnerëve.
KB Trepça nga fillimi i sezonit ndërroi trajnerin 3 herë. Sezonin e filloi Lubomir Mincev për ta zavendsuar më pas Alek Joncevski. As maqedoni nuk pati paraqitje të mira dhe vendin e tij e zuri turku Engin Gencoglu ku edhe arriti finalen e play off-it. Nga ana tjetër KB Peja filloi sezonin me Can Sevim dhe po e mbyll me izraelitin Rami Hadar.
Seria e “Best of 5” fillon të mërkurën me datë 03 maj, ku ndeshja e parë zhvillohet nga ora 20:00 në palestrën sportive “Minatori”. Ai ekip që arrin në kuotën e 3 fitoreve, kurorëzohet me titullin kampion.
Për Trepçën kjo është finalja e parë pas 11 viteve në kuadër të Play Off-it. Ndërsa Peja zhvillon finalen e dytë në 3 sezonet e fundit./Mitropol/








