Mitrovicë e Veriut, miratohen 10 propozim-vendime për ndërrim të destinimit të tokës nga bujqësore në ndërtimore

Katër ditë pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut thirri mbledhje të jashtëzakonshme sot.
Dhjetë propozim-vendimet për ndërrim të destinimit të tokës nga bujqësore në ndërtimore u miratuan njëzëri.
Edhe pse kishte dhjetë pika të ndara, ato u votuan si një dhe të dhjetat u miratuan.
Bëhet fjalë për kërkesat për lëshimin e lejeve të ndërtimit për ndërtesa të kategorisë së parë, të destinuara për banim individual.

Skender Sadiku, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal, tha se aplikuesit janë qytetarë të komuniteteve shqiptare dhe boshnjake.
“E mira është që nuk janë vetëm nga komuniteti shqiptar por edhe nga komuniteti boshnjak. U bëj thirrje edhe komuniteteve të tjera të marrin leje dhe të ndërtojnë pronat të cilat shpresoj se do t’i trashëgojnë me familjarët e tyre. Ky është një hap i mirë”- potencoi Sadiku.
Ndonëse asamblisti njëherazi kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani, votoi pro, theksoi se këtë vendim do të duhej ta merrte ekzekutivi e jo legjislativi.
“Më mirë kish qenë që ekzekutivi të merrte këso masa. Pra, këto prona të shndërrohen në toka ndërtimi. Siç e dini Mitrovica e Veriut është territor i vogël dhe shumë pak e hiç ka toka bujqësore. Kjo çka po bëjmë ne është vetëm një hap i vogël për ndihmë të qytetarëve që nesër, pasnesër ata të aplikojnë për plane të ndërtimit apo legalizim të ndërtimit që kanë bërë para disa vitesh”- theksoi Osmani.
Si në shumicën e mbledhjeve, as sot, më 16.10.2025, nuk ishte i pranishëm kryetari Erden Atiq e as drejtorët.
Në seancë ishin të pranishëm anëtarët e misionit të KFOR-it.
Kujtojmë se në gusht ishte kërkuar leja ndërtimore për ndërtimin e objektit të shkollës së mesme të ulët në lagjen Kodra e Minatorëve.
Më 07.08.2025 ekzekutivi i kishte propozuar Kuvendit të Komunës që të sjellë një vendim për ndërrim të destinimit të parcelës së lartcekur nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore.
Ndryshe, bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kandidatët për Kuvendin Komunal në këtë komunë prin Lista Serbe me 61.81 për qind të votave, Građanska inicijativa Sever za sve me 10.98 për qind, Lëvizja Vetëvendosje me 8.25 për qind dhe Demokracia Serbe me 6.42 për qind.
Ndërsa sa u përket rezultateve për kandidatët për kryetar, Millan Radojeviq nga Lista Serbe ka fituar zgjedhjet me 60.25 për qind të votave.
Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12.10.2025.
Në mbrëmjen e kësaj date, Lista Serbe shpalli fitoren në nëntë komuna të Kosovës, përfshirë Mitrovicën e Veriut.
Me flamuj e me vetura rreth orës 23:00 qytetarë serbë festuan afër shtatores së Car Llazarit./Kallxo








