Mitrovicë: I refuzohet pranimi i fajësisë të akuzuarit për falsifikimin e 63 votave

Me arsyetimin se nuk ishte i qartë gjatë deklarimit, në seancën e shqyrtimit fillestar, të hënën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Izet Muli iu refuzua pranimi i fajësisë për akuzën se ka falsifikuar vota në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, më 2019.
“Meqë kam qenë kryesues dhe e kam dhënë nënshkrimin, aty e pranoj fajësinë”, deklaroi i akuzuari Muli, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava.
I akuzuari tha se e pranon fajësinë por se kjo nuk ka qenë me dashje dhe se ai i ka nënshkruar rezultatet dhe ka qenë prezent aty, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të mirë shendetësore dhe kishte kerkuar që të lirohet nga detyra dhe se rezultatet i kishte marrë nga anëtarët e komisionit.
Në këto rrethana, gjykata refuzou pranimin e fajësisë nga i akuzuari, me arsyetimin se i njëjti gjatë pranimit të fajësisë nuk ishte i qartë, si dhe pranimin e fajësisë e ndërlidhë me pakujdesinë e tij gjatë procesit të numrimit të votave.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti, e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Bajrami Halimi që brenda afatit prej 15 ditësh mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës.
“Duhet të thirren krejt anëtarët e komisionit dhe t’i ballafaqojmë se si i keni regjistruar rezultatet, si i ke regjistruar ti dhe si i kanë regjistruar ata, do të bëjmë një punë që nuk e ka bërë Prokuroria”, tha gjyqtari Mehmeti.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 13 mars 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Izet Mulit, i cili akuzohet se në cilësinë e kryesuesit në vendvotimin në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Vushtrri, pas mbylljes së vendvotimit, ka shtuar dhe hequr vota të kandidatëve brenda subjekteve politike, të cilat nuk iu përgjigjen rezultateve të vërteta.
Aktakuza thotë se i akuzuari ka regjistruar votat e pasakta dhe atë gjithsej 63 vota, 20 të shtuara dhe 43 të hequra, ku i janë shtuar LVV-së 8 vota, LDK-së 4 vota, PDK-së 8 vota dhe të hequra LVV-së 11 vota, LDK-së 1 votë dhe PDK-së 31 vota.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet prej tre deri në pesë vite burgim. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.








