MSH del me njoftim: Mërgimtarët i mirëpresim, por do të ketë kufizime në manifestimet masive

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka thënë se vazhdimisht janë duke shqyrtuar të dhënat për situatën epidemiologjike dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, mbi të cilat do të përditësojnë masat Anti-COVID.
Nga kjo ministri është thënë se si herave tjera, do t’i mirëpresin mërgimtarët, por që edhe kësaj radhe do të kufizohen nga manifestimet masive, pasi ato paraqesin rrezik për situatën në të cilën ndodhet vendi.
“Javëve të fundit në shumë vende është shfaqur varianti i ri, Omicron, i virusit Corona, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar si “variant shqetësues” dhe ka paralajmëruar mundësinë e “pasojave të rënda” nga valët e shkaktuara prej këtij varianti. Për shkak se këto rreziqe mund të fillojnë të shfaqen brenda ditësh, zbatimi më efikas i masave është jo vetëm i domosdoshëm, por dhe çështje urgjente”, është thënë nga MSH.








