Aurora Group
KOSOVËLAJME

Muja, Basha, Kusari: Pse bash ata që e kritikonin, Kurti i bëri deputetët më të shquar besnikë të tij?

Shumë aktivistë e deputetë të Vetëvendosjes i kanë kthyer fjalën kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij për çështje të ndryshme të nxehta përgjatë këtij viti. Megjithatë, janë disa që kanë qenë të zëshëm, madje shumë të zëshëm, në shprehjen e lojalitetit dhe që kanë marrë hapësirë të madhe nga Kurti. Kush janë ata dhe çka i përbashkon?

Vetëvendosje i ka brenda Grupit të saj Parlamentar plot 59 deputetë.

London

Sidoqoftë, më 16 mars Qeveria do të merrte vetëm 26 vota PRO nga grupi i saj për Projekt-Kodin Civil që po shtyhej përpara nga kryeministri Kurti. Plot 33 deputetë nuk kishin votuar sipas kërkesës që iu erdhi nga lart.

Duket se për shumë prej tyre, bindjet konservatore myslimane atë ditë peshuan më shumë se dashuria për liderin e partisë. Problemi ishte te bashkësitë e regjistruara civile për seksin e njëjtë. Pra, nëse duhej të lejoheshin për të jetuar bashkë, ligjërisht, dy burra homoseksualë apo dy gra homoseksuale.

Më pas, në shesh dolën edhe të tjerë deputetë që kundërshtuan për çështje të ndryshme.

Të premten e kaluar Haki Abazi kundërshtoi Mimoza Kusarin si shefe të Grupit Parlamentar. Paksa më indirekt, ai ka kundërshtuar shpesh edhe vetë Qeverinë Kurti.

Paraprakisht, deputetët Gramos Agusholli, Jeta Statovci, Alban Bajrami etj. dolën kundër mos-ekzekutimit të pagave.

Deputeti Fatmir Humolli doli kundër mos-përfshirjes së veteranëve në Ligjin e Pagës Minimale.

Ndërkohë, çështja se si po merrej Qeveria me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë dhe me Vetingun detyroi deputeten Doarsa Kica që të kërcente në LDK.

Më lojalët

Për fat të keq, te platforma Vota Ime lojaliteti i secilit prej deputetëve, të secilës parti, është 0% meqenëse nuk është matur fare.

Por, natyrisht se kjo nuk është e vërtetë. Deputetët e Vetëvendosjes kanë qenë kryesisht lojalë ndaj Qeverisë dhe kanë qenë të rreshtuar jo vetëm me fjalë kah Kurti.

Më të zëshmit në shprehjen e besnikërisë së tyre ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes ishte Mimoza Kusari Lila. Kjo iu imponua para së gjithash për shkak të rolit si shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Kusari ishte mes deputetëve që shtyu më me forcë Projekt-Kodin Civil dhe foli haptas në mbrojtje të bashkëjetesave të homoseksualëve. Po ashtu, ajo lajmëroi vendimin qeveritar për mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit në një temë kontroverse ku numri i njerëzve që mbronin Kurtin dhe Muratin ishte fare i vogël.

Përveç znj. Kusari, tepër aktiv në seanca parlamentare dhe sidomos në rrjete sociale e kemi parë deputetin Dimal Basha.

Basha gjatë kohës së grevës i kishte quajtur “analfabetë funksionalë” sindikalistët e arsimit, çka detyroi Nacionalen t’i publikonte dëftesën e tij shkollore ku evidentoheshin notat tmerrësisht të dobëta në shkollë të mesme.

Në mbrojtje të Qeverisë, ai madje në një rast pa qenë fare anëtar i Komisionit për Arsim shkoi aty dhe u përpoq të përdhoste dinjitetin e kryesindikalistit Rrahman Jasharaj.

Basha nuk ka shprehur ndonjë mospajtim publik me Qeverinë e Kosovës.

Dhe i fundit deputet besnik i Kurtit, që të paktën ishte i zëshëm në këtë besnikëri, është Armend Muja.

Deputeti nga Mitrovica që u bë edhe kryetar i Qendrës në qytetin e xehetarëve, e ka detyrën e vështirë të mbrojtjes së qëndrimeve të Qeverisë për çështjet ekonomike. Madje edhe në kohën kur inflacioni po varfëron përditë qytetarët, Muja po mbron shifrat që po nxjerr kryeministri Kurti derisa flet për “progres ekonomik”.

Deputeti Muja ka qenë mjaft i zëshëm edhe në Kuvendin e Kosovës, duke qenë mes kundërshtarëve më të sertë ndaj opozitës.

Deputetë lojalë përveç treshes së lartpërmendur ka pasur edhe të tjerë. Ta zëmë, Fitore Pacolli. Ose, Fatmire Mulhaxha Kollçaku. Ose, edhe Arbër Rexhaj e Beqim Muzaqi. Por, asnjëri nuk është shquar në debatet publike sa Kusari, Basha dhe Muja.

Çka i përbashkon?

Mimoza Kusari, Dimal Basha e Armend Muja nuk janë pjesë e Vetëvendosjes së moçme. Madje, që të tre janë ardhje shumë të reja në partinë e kryeministrit Kurti.

Muja kishte aderuar në Vetëvendosje në janar të vitit 2021, ose një muaj para fitores në zgjedhjet e fundit.

Por, paraprakisht ai kishte qenë i ashpër ndaj partisë së drejtuar nga z. Kurti.

“Skena politike është polarizuar së tepërmi nga prezenca e dy forcave politike që nuk e njohin rendin kushtetues të Ahtisaarit (VV dhe Lista Serbe) dhe konsensusi shoqëror nuk është i mundur. Prodhimi i alternativave qeverisëse me orientim zhvillimor nuk është i mundur përderisa këto dy forca të kushtëtojnë për njohje të rregullimit tonë politik,”thoshte z. Muja.

Kritik i madh kishte qenë edhe Dimal Basha, që e denonconte ashpër kulturën e dhunës të instaluar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë mendoj që kjo ka fillu për shkak të një kulture të keqe që është kriju brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo kulturë e keqe që është mbjell tash e sa kohë, duke filluar nga protestat në rrugë, por pastaj me përdorimin e dhunës në rrugë. Pastaj kjo dhunë kaloi nëpër institucione, siç e dimë të gjithë, pastaj kemi pasur dhunë ndaj njerëzve civilë në rrugë, kemi pasur dhunë ndaj policisë, dhunë ndaj vet institucioneve dhe gjithashtu kemi pasur dhunë edhe ndaj pushtetarëve, duke filluar nga ish-kryeministri Mustafa i cili është sulmuar në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu e kemi pasur edhe dhunën ndaj ambasadores, mirëpo edhe një dhunë tjetër që nuk është folur shumë, ka qenë ajo dhuna psikologjike që është ushtru nëpër rrjete sociale,” – shprehej ai.

Basha i ishte bashkuar Vetëvendosjes jo shumë kohë pas këtyre fjalëve, në shtator të vitit 2019.

Në anën tjetër, as Mimoza Kusari nuk ka qenë aq e kursyer. Ajo kishte qenë anëtare ose bashkëpunëtore e shumë subjekteve politike në Kosovë, dhe kishte pasur raste kur shprehej me fjalë të mira për Thaçin derisa vlerësonte që Kurti kishte shkuar pak larg me Bashkësinë Ndërkombëtare.

Nuk dihet pse pikërisht këta tre njerëz janë në ‘vijë të parë të frontit’ aktualisht kundër oponentëve të Vetëvendosjes dhe z. Kurti.

Weelnes