KOSOVËLAJME

Murati: Investimet kapitale në nivelin më të lartë ndonjëherë, sivjet pritet të kemi ‘boom’

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka vazhduar të publikojë grafikë për të dëshmuar se, sipas tij, shteti ka përparuar dhe se Qeveria ka shënuar suksese të mëdha. Kësaj here, ai paralajmëroi “boom të investimeve kapitale” sivjet.

Murati kësaj here shkroi se investimet kapitale në vitin 2023 kanë shënuar rritje prej 33%, “niveli më i lartë ndonjëherë”, sipas tij, ndërkohë që opozita flet për të kundërtën.

Market Florenti
Florenti Company
Koha

“⚡️Investimet kapitale në 2023 shënojnë rritje prej 33%, niveli më i lartë ndonjëherë. Raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth ???? 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara. Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë”, shkroi Murati.

Ministri shtoi se pas viteve të pandemisë 2020-2021, dhe vitit 2022 kur, siç shkruan ai, “punëkryesit kishin probleme me koston e materialeve ndërtimore”, ai shkruan se “më në fund viti 2023 ka rikthyer investimet kapitale në binarët e duhur”.

“Lajmi akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale”, shkroi ai.

Ky rezultat, Murati shkruan se erdhi “pas shumë e shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin trashëguar, me projekte të padizajnuara si duhet dhe pa kryer obligimet e shpronësimit, probleme të cilat për shumicën e projekteve tashmë janë zgjidhur”.

“PS. Deri në vitin 2019, shumica dërrmuese e investimeve kapitale, 150-200 milionë euro në vit, kanë qenë pagesa për vetëm një projekt, atë të autostradës. Prandaj nëse merret edhe ky fakt parasysh, i bie që shuma e investuar për shkolla, spitale, kulturë, sport, siguri e ushtri, ka qenë shumë më e vogël sesa që mund të mendohet në shikim të parë”, shkruan Murati në fund të postimit të tij.