
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka propozuar krijimin e një Këshilli Ndërpartiak Kombëtar që, sipas saj, do të merrej me çështje të interesit kombëtar, shkruan Mitropol.
Sipas Musliut, ky këshill do të ofronte konsultime për çështje të tilla si, dialogu me Serbinë, reforma e sundimit të ligjit, integrimin evropian e arsimi.
“Mandati: Të ofrojë konsultime të strukturuara, konfidenciale dhe jo-detyruese mbi çështjet kryesore kombëtare – dialogun me Serbinë, reformën e sundimit të ligjit, integrimin evropian, politikat arsimore dhe jo vetëm.”, tha ajo.
Ajo ka treguar edhe se si do të përbëhej këshilli.
“Përbërja: Një përfaqësues nga secila parti parlamentare, i rinovueshëm me secilën legjislaturë, i kryesuar në një bazë rotative gjashtëmujore.”, shkroi ajo
Sipas Musliut, ky këshill është i nevojshëm sepse, sipas saj, do të zvogëlonte kapjen institucionale, do të rikthente besimin qytetar, do të krijonte stabilitet pa cenuar qeverisjen institucionale.
“•Zvogëlon kapjen institucionale. Një forum ndërpartiak kufizon dominimin individual të një lideri apo të një partiembi çështjet kombëtare dhe frenon ndërmjetësimin e pushtetit në hije.
• Rikthen besimin qytetar. Një koordinim i strukturuar sinjalizon se partitë mund dhe duhet të vendosin interesin e shtetit mbi përfitimet partiake apo individuale.
• Krijon stabilitet pa cenuar qeverisjen institucionale. Është një mekanizëm konsultimi i projektuar për të parandaluar unilateralizmin dhe fragmentimin. Është një mekanizëm që ofron konsensus politik për çështjet me interes kombëtar” u shpreh deputetja.