
Në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, aktivistja dhe njëra nga themelueset e HANDIKOS-it në Mitrovicë, Myrvete Hasani, ka rrëfyer përjetimet e saj gjatë viteve të 80-ta e 90-ta, si dhe angazhimin për personat me aftësi të kufizuara.
Hasani tregoi se gjithçka ka filluar në mënyrë vullnetare.
““Prej vitit 89 une e kam njoft Halit Ferizin i cili ka startu me punën për personat me aftësi të kufizume. Në atë kohë unë kam qenë vetëm anëtare e shoqatës së paraplegjikëve në atë kohë. Më vonë në 1994-tën veç jemi organizu si grup”, tha ajo.
Ajo kujtoi edhe bashkëpunimin me UÇK-në, duke theksuar se ndihmat e mbledhura shpesh iu janë dhënë luftëtarëve.
“Ne e kemi pasë një telefon në zyre që ka funksionu dhe kur vishin kolonat e gjata me tenka të okubatorit serbë ne veç i lajmërojshim UÇK-në në Drenicë që është tu ardhë një kolonë e gjatë. Ne e kemi pasë një bashkëpunim shumë të mirë me UÇK-në”, tha tutje ajo.
Në rrëfimin e saj, ajo foli edhe për stigmatizimin që dikur i shoqëronte personat me aftësi të kufizuara, sfidat në arsim, mungesën e kushteve dhe të përkrahjes së mjaftueshme institucionale. Aktivistja theksoi se sot HANDIKOS-i në Mitrovicë numëron mbi 550 anëtarë dhe vazhdon të mbështesë fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara përmes aktiviteteve dhe mjeteve ortopedike.
“I mbulojna nevojat e personave me aftësi të kufizuara me mjete ortopedike. Kemi aktivitete në qendër me fëmijë. Ata fëmijë shkon shoferi i merr në shtëpi, i sjell në qendër, i kryjenë aktivitetet dhe i kthejnë prapë. Kemi prind që i bijnë vet në aktivitete fëmijët në qendër. Kemi aktivitete për të rritur. E kena grupin e grave me aftësi të kufizume, ato qëndisin, punojnë punëdore. Gjithmonë kemi aktivitete”, tregoi ajo.

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.








