Nafta u bë shkak i rritjes së çmimit të taksive, me lirimin e naftës pritet të kthehen çmimet e vjetra

Ngritja e çmimit të naftës u bë shkaktare për shtrenjtimin e çmimit të startit të radio taksive nga 1.50 euro në 2.00 euro.
Kërkesa për shtrenjtimin e çmimit të startit ishte kërkesë e Shoqatës së Radio-Taksive.
Kështu u bë e ditur nga Komuna e Prishtinës.
“Pas ngritjes së çmimit të naftës, kemi marrë kërkesa të vazhdueshme nga shoqata e radio taksive, për ngritje të çmimit të shërbimeve. Pas takimeve të përbashkëta, konsultimeve të brendshme, dhe me dakordim të Kryetarit të Komunës, është aprovuar kërkesa e shoqatës së radio taksive, vetëm sa i përket tarifës së nisjes, nga 1.50 Euro në 2.00 Euro, për 1.5 km të para”, tha Komuna për Klan Kosova.
Komuna e Prishtinës në përgjigje theksoi se do të bëjë monitorimin e vazhdueshëm të çmimit të produkteve dhe posa të normalizohet çmimi i naftës do të rishqyrtohet vendimi i rikthimit të tarifave të mëparshme.







