
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka bërë me dije se një koalicion PDK-VV, do ta votonte vetëm më një kusht, e ai është ndërmarrja e hapave konkret nga VV-ja për Gjykatën Speciale, shkruan Mitropol.
Ai, në “Info Natës” në Tëvë1, ka treguar se do të votonte një koalicion të tillë vetëm nëse VV-ja shpreh gatishmëri të marrë hapa konkret në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen nga Gjykata Speciale.
“Ndryshimi të bëhet vetëm me një kusht. Kushti është nëse kjo qeveri do të hyjë në koalicion me PDK-në, është Gjykata Speciale. Atje mund të ma ndryshojë mendjen. Përndryshe me asnjë çmim!. Nëse ajo thotë ‘po, ja ku është ministria, qeveria, buxheti, ja ku është rezoluta, ja ku janë veprimet e komisionit hetimor të Gjykatës Speciale, me lobuimet që atje ta fitojmë betejën e UÇK-së, të shtetit të Kosovës, jam i gatshëm ta bëj! E kundërta, cila është arsyeja ta votojë?!”, tha ai.
Ai tha se votuesit e tij, me anë të votës së tyre, i kanë kërkuar të mos bëj koalicion me VV-në, sipas tij.
“Unë në zgjedhje kam dal personalisht dhe kam deklaruar te qytetarët që më kanë votuar, te ata 30 mijë njerëz që brenda ditës së 9 shkurtit kanë votuar për mua që të mos bëj koalicion me VV-në. Ata e kanë vlerësuar qëndrimin tim. Ata kërkojnë me mbajt qëndrimin tim. Ata kërkojnë që të jem në pikat që ata e vlerësojnë. Prandaj, nuk mund ta bëj ndryshimin”, ka deklaruar Hasani./Mitropol/








