Premium Store
KOSOVËLAJME

NDI përgënjeshtron se ata publikuan sondazh për renditjen e partive politike

Screenshot

Dje në disa medie nga Kosova u publikua një artikull në lidhje me përqindjen e përkrahjes qytetare të partive politike në vend.

Artikull thoshte se matjet e fundit se ku qëndrojnë partitë politike kishin treguar ndryshime të mëdha në përkrahjen e tyre nga qytetarët.

Active

Artikulli iu atribua një sondazhi të realizuar nga organizata amerikane Instituti Demokratik Ndërkombëtar (NDI), ku thuhej se Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar një rënie të madhe në besueshmëri, duke shkruar se partia në pushtet ka një rënie prej rreth 14 për qind nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Sipas artikullit në fjalë, shkruhej se ngritje të hovshme kishin shënuar dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Por, pas publikimit dhe citimit të artikullit në fjalë në shumë medie të vendit, reagoi vet NDI, duke demantuar lajmin se ata kishin kryer matje të opinionit publik sa i përket përqindjes së përkrahjes së partive politike në Kosovë.

“Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) është njoftuar për një raportim që po qarkullon në media sot, i cili pretendohet të japë rezultate të një sondazhi të NDI-së për renditjen e partive politike në Kosovë. Atribuimi i këtij raporti nuk është i vërtetë dhe nuk i përket NDI-së”- thuhet në përgjigjen e NDI-së dhënë për Krypometër, më 13.06.2024.

Publikimi i këtij lajmi që i atribohet NDI është bërë në ditën kur Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) e ka organizuar konferencën që i kushtohet dezinformatave, DISICON. Në këtë koferencë janë prezantuar edhe të dhëna mbi cenueshmërinë e Kosovës nga dezinformatat, por edhe sondazhi se prej nga informohen qytetarët dhe sa janë të ndikuar ata nga informacionet e rreme.

SHËNIM: Artikulli është redaktuar pas verifikimit të vërtetësisë kryer nga fact checkers mbi raportimet e medieve në vend dhe pas përgjigjes së NDI për Krypometër të Kallxo.com ku demantohet artikulli i botuar.

Active