KOSOVËLAJME

Në pritje të zgjidhjes për dinarin: Shpallje dhe shërbime për tërheqjen e parave

Në veri të Kosovës, disa individë kanë nisur të postojnë në rrjetet sociale shpallje të llojit “ofrojmë shërbime të tërheqjes së parave në Rashkë”.

Në jug, përkatësisht në Graçanicë, ka nisur të operojë një linjë e veçantë transporti për “tërheqjen e pensioneve, shtesave për fëmijë, përfitimeve sociale e të tjera”.

Koha
Florenti Company
Market Florenti

Këto “shërbime” kushtojnë së paku 10 euro.

Transportuesi Sasha Aritonoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se linja Graçanicë-Kurshumli është aktivizuar për shkak të mungesës së dinarëve në Kosovë.

“Njerëzit duhet t’ia dalin disi. Unë i transportoj ata që, realisht, nuk kanë alternativë”, thotë Aritonoviq.

Ai e bën rrugën deri në Kurshumli të Serbisë kur lajmërohen së paku tre pasagjerë, dhe kjo zakonisht ndodh një ose dy herë në javë.

Prishtina dhe Beogradi, ndërkohë, janë duke kërkuar zgjidhje në Bruksel se si të paguhen pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që pranojnë pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia – nisur nga pensionet deri te shtesat për fëmijë.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës ka fuqizuar një rregullore që e ndalon përdorimin e monedhës serbe në Kosovë.

Që nga fundi i marsit janë mbajtur gjashtë takime në Bruksel, por deri më tani nuk ka pasur marrëveshje.

Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë përparimi, ndërsa Bashkimi Evropian, i cili e ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, thotë se pret që një zgjidhje e bazuar në propozimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, të gjendet në takimin e radhës, që do të mbahet në mes të majit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë më 29 prill se palët, në takimet e deritashme, i kanë paraqitur qëndrimet dhe propozimet e tyre dhe se BE-ja, në fund, ka propozuar një “zgjidhje kompromisi” dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta pranojnë atë. Ai nuk ka specifikuar se për çfarë zgjidhjeje bëhet fjalë.

Dinari vazhdon të qarkullojë në zonat me shumicë serbe në Kosovë, edhe pse Banka Qendrore e Kosovës ka thënë më herët se “periudha tranzitore nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj”.

Rregullorja e BQK-së parasheh që euroja të jetë mjeti i vetëm i pagesës kudo në Kosovë.

Deri më tash, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar disa herë hyrjen e dinarëve në vend – gjë që ka rezultuar me mungesa të kësaj monedhe dhe vështirësi në pagesat e të ardhurave nga Serbia.

Pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët jetojnë në komunat në jug të Ibrit, nuk mund t’i tërheqin fare të ardhurat e tyre në vendet ku jetojnë, ndërsa ata në veri, aktualisht, mund të tërhiqen një shumë të kufizuar deri në 20.000 dinarë, apo rreth 180 euro.

Banka nga Serbia, Kursimorja e Postës, i ka degët e saj në veri të Kosovës dhe bankomatet në zonat në jug të Ibrit.

Serbia, gjithashtu, ka ngritur degë të improvizuara të kësaj banke, të destinuara për serbët nga Kosova, në afërsi të katër pikave kufitare: Jarinjë, Bërnjak, Konçul dhe Merdare.

Çfarë alternativash tjera shfrytëzojnë qytetarët?

Sllobodanka Llazoviq, 79 vjeçe, nga Leposaviqi në veri, thotë se varet nga “vullneti i mirë” i fqinjëve, miqve apo të afërmve.

Ajo thotë se, që nga hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së që ndalon dinarin, duhet të kërkojë nga të tjerët që t’ia marrin pensionin në Rashkë të Serbisë.

“Jam e moshuar, nuk mund të shkoj, ndaj i lus të tjerët. Nganjëherë shkon nipi. E kam edhe një shoqe në Rashkë, e cila ma sjell nganjëherë pensionin. Është shumë vështirë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sllobodanka, e cila jeton vetëm.

Pensionisti nga Mitrovica e Veriut, Jovica Denoviq, i tërheq paratë nga Kursimorja e Postës në Mitrovicën e Veriut, por vetëm një shumë të kufizuar – deri në 20.000 dinarë.

“Ne nuk funksionojmë si mjediset e qytetëruara. Kjo nuk është normale”, thotë Jovica.

Ai shton se kjo çështje është politizuar dhe se qytetarët e thjeshtë po i vuajnë pasojat.

“Mos më pyesni [për të ardhurat në dinarë]. Është e vështirë. Nuk ia dal fare, shpenzoj atë që kam”, thotë Radosava Shqepanoviq, po ashtu nga Mitrovica e Veriut.

Bashkëqytetari i saj, Predragu, thotë se të ardhurat e tij i merr në Serbi.

“Probleme kanë më shumë të moshuarit dhe pensionistët, që nuk mund të shkojnë në Rashkë ose nuk kanë kë ta dërgojnë atje. Të rinjtë ia dalin”, thotë ai.

A ka zgjidhje në horizont?

Takimi i fundit ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për dinarin u mbajt më 25 prill në Bruksel, por në vend të zgjidhjes, palët u dakorduan për një takim të ri pas rreth dy javësh.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se pala serbe ka dalë me “qëndrime shqetësuese”, se “Serbia duhet të vazhdojë t’i financojë të gjitha institucionet e saj deri në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

“Sipas tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është të sigurojë një koordinim të mirë ndërmjet komunave, por të sigurojë legjitimitetin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë”, ka thënë Bislimi.

Kosova i konsideron si të paligjshme institucionet që punojnë nën sistemin serb.

Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se bisedimet në Bruksel kanë qenë “të vështira dhe të tensionuara”, se Beogradi është “palë konstruktive” dhe se Prishtina po përpiqet “të imponojë zgjidhje për legalizimin e vendimeve të njëanshme”.

“Ne jemi dakord për dialog dhe zgjidhje, e jo që njëra palë të humbasë gjithçka dhe tjetra të fitojë gjithçka. Kjo nuk funksionon”, ka thënë Petkoviq.

Bislimi ka thënë se, në fund të takimit, ndërmjetësi evropian është përpjekur t’i respektojë vijat e kuqe të palëve dhe se ka paraqitur propozimin për zgjidhje.

“Ky duhet të jetë edhe propozimi i fundit. Propozimi shkon në drejtim të duhur, por kërkon kohë që të dyja palët t’i analizojnë elementet dhe implikimet ligjore”, ka thënë Bislimi.

Më herët, Prishtina zyrtare ka propozuar që Serbia t’i bëjë pagesat në euro përmes një banke të licencuar në Kosovë, ndërsa Beogradi ka insistuar që ato të bëhen përmes bankës Kursimorja e Postës.

Kjo bankë është shoqëri aksionare, në të cilën Republika e Serbisë ka mbi 78 për qind të aksioneve.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se mbështet gjetjen e një zgjidhjeje për dinarin serb në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

SHBA-ja, gjithashtu, ka paralajmëruar se vendimi i Kosovës për zbatimin e rregullores që ndalon dinarin, mund të ndikojë në cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.