
Në stacionin policor në Zveçan është bërë përurimi dhe pranimi zyrtar i “Dhomës mike”, një hapësirë e renovuar dhe e pajisur falë një donacioni të KFOR-it, shkruan Mitropol.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, zyrtarë të lartë të KFOR-it, si dhe eprorë të stacionit policor Zveçan.
Gjatë fjalimeve të rastit, stafi komandues i Drejtorisë Rajonale falënderoi KFOR-in për mbështetjen dhe kontributin në krijimin e kësaj hapësire, e cila do të shërbejë për intervistimin dhe akomodimin e përkohshëm të viktimave të dhunës në familje, me fokus të veçantë tek gratë dhe fëmijët.
Edhe përfaqësuesit e KFOR-it vlerësuan bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e tyre për projekte të tjera të përbashkëta në të ardhmen.
Të dy palët e konsideruan projektin si një investim të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe mbështetës për viktimat e dhunës në familje.
“Dhoma mike” është pajisur me mobilie, kënde të posaçme dhe lodra për fëmijë, me synimin që të ofrojë qetësi, siguri dhe rehati gjatë procesit të intervistimit dhe qëndrimit të përkohshëm.






