Nëna gurabije e i biri vizatim, familja nga veriu përgatisin dhuratë për policët: Faleminderit që na ruani!

Një familje nga veriu i Mitrovicës në lagjen tek “Tre Rrokaqiejtë” janë treguar shumë të kujdesshëm në raport me pjesëtarët e Policisë së Kosovës që po bëjnë sigurimin e veriut, shkruan “Mitropol”.
Gjersa nëna ka përgatitur ëmbëlsira e gurabije, i biri i saj është kujdesur që përmes një vizatimi të cilin ua bëri dhuratë policëve kosovarë, t’i falënderojnë ata për mundin që japin në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së veriut.

Mbi vizatimin ku shihen djali dhe vajza e familjes bashkë me tre policë, djali ka shkruar mesazhin “Faleminderit që kujdeseni për ne!”, drejtuar zyrtarëve policorë.

Veç ëmbëlsirave, zonja e shtëpisë ka thënë për “Mitropol” se policëve u ka dërguar edhe çaj të nxehtë.
Ajo ka deklaruar se vizatimi që e bëri i biri i saj e kishte prekur nënën shumë në aspektin emocional.
Kujtojmë se sot mbushen plot 12 ditë prej kur forcat e rendit janë vendosur gjithandej lagjeve shqiptare në veri./Mitropol/








