Netanyahu shkon në gjykatë, do përballet me drejtësinë
Gati pesë vjet pas fillimit të gjykimit kundër tij nën akuzat për korrupsion, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, arriti të martën në një gjykatë për t’u ulur në ulësen e dëshmitarit dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth akuzave penale kundër tij në tri raste të ndryshme.
Seanca dëgjimore po zhvillohet në një sallë nëntokësore në Gjykatën e Qarkut e Jaffa-s në Tel-Aviv për arsye sigurie, pasi Gjykata e Qarkut e Jerusalemit nuk i ka kushtet e duhura për siguri, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Muajve të fundit, Netanyahu në mënyrë të përsëritur është munduar që ta shtyjë dhënien e dëshmisë, por pasi i ka shteruar të gjitha mjetet, dëshmia fillon tani, në përpjekje për t’i përgënjeshtruar akuzat për mashtrim e shkelje të besimit që janë ngritur kundër tij në tri rastet, si dhe për ryshfet, akuza më e rëndë, në njërin nga rastet.
Avokatët e Netanyahut do ta pyesin të partë kryeministrin dhe, gjatë kësaj kohe, ai do të ketë mundësi që të flasë gjerësisht në mbrojtje të veprimeve të tij, në një proces që me gjasë do të zgjasë dy ose tri ditë. Shumica e kohës së Netanyahut në ulësen e dëshmitarit më pas do të shfrytëzohet nga ekzaminimi i prokurorëve.
Me të përfunduar ekzaminimi nga prokurorët, avokatët e Netanyahut do të mund ta thërrasin atë përsëri në ulësen e dëshmitarit, nëse atyre u duket e nevojshme që kryeministri të sqarojë ndonjë gjë gjatë dëshmisë së tij.
Ministrat e figurat besnike ndaj Netanyahut, Miri Regev, Shlomo Karhi dhe Itamar Ben Gvir, kanë arritur në gjykatë për ta ofruar përkrahjen e tyre për kryeministrit. Të pranishëm janë edhe kryetari i Kuvendit, Amir Ohana, si dhe deputetët e partisë së Netanyahut, Avichay Boaron, Osnat Mark e Tali Gotliv.
Ministri i Drejtësisë i Izraelit, Yariv Levin, para dhënies së dëshmisë nga Netanyahu e përshkroi procesin gjyqësor kundër tij si “padrejtësi”./Nacionale