
Në kuadër të ciklit “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës”, teknikja e ndërtimtarisë Nexhlal Deda ka ndarë kujtimet e saj për sfidat gjatë viteve ’80-’90 dhe pas luftës së Kosovës, shkruan Mitropol.
E lindur, shkolluar dhe pensionuar në Mitrovicë, Deda nisi punën në Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku”, ku ishte e vetmja femër mes 60 punëtorëve.
Ajo kujton respektin që gëzonte dhe rolin e saj në ndërprerjen e një greve për të shpëtuar një pllakë betoni nga dëmtimi. ““Iu drejtova atyre, disa heshtshin, disa e ulshin kryt. Më në fund thanë po. Iu thash të kemi veç edhe pak durim, greva kryhet po pllaka dëmtohet, atëherë duhet krejt me u hek. Dëmi i madh ishte. Ata u pajtuan. E ndiva veten shumë krenare që më respektuan”, tha ajo.
Gjatë masave represive, Deda tregon se si bashkëshorti i saj u largua nga puna në Trepçë, dhe familja mbijetoi duke hapur një butik privat.
Teksa pas luftës, Deda iu bashkua një ekipi për inçizimin e shtëpive të djegura, duke ndihmuar familjet të përfitonin nga donacionet ndërkombëtare për rindërtim.
Ajo kujton emocionet kur shihte banorë të përlotur që merrnin lajmin për një kulm mbi kokë, në një kohë kur vetëm në lagjen e saj ishin djegur 840 shtëpi.
“Kur qato fytyra të përlotuna kur e merrshin vesh që ka me pasë një kulm, një dhomë, i shihshim të buzëqeshur, neve na vike shumë jo veç punë por ndihmesë. Shumë njerëz kishin nevojë, donacionet nuk mjaftojshin. Zakonisht jepeshin nga 54 metra katrorë, mandej jepeshin shumë e ma shumë. Në lagjen time në Bajr kanë qenë 840 shtëpi të djeguna. Tmerr ka qenë po e tejkalum. Të njëjtën shtëpi që na e kanë djeg, e ndërtum pas dy viteve kemi hy aty prap me banu.”, rrëfeu Deda me emocion.
Pas viteve të punës në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Administratës, Deda u pensionua e kënaqur me kontributin e saj për qytetin.
Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.








