
Raporti ditor i Policisë së Kosovës për veriun e vendit ka evidentuar disa incidente kriminale që përfshijnë raste vjedhjeje, dhunë në familje, dëmtim prone dhe një rast të ndjeshëm të ngacmimit seksual me elemente shantazhi, njofton Mitropol.
Karrocë fëmijësh në shënjestër të hajnave
Në orët e para të mëngjesit të 9 majit, në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicën e Veriut, një burrë ka raportuar se persona të panjohur i kanë vjedhur një karrocë për fëmijë. Policia është duke hetuar rastin, ndërsa është njoftuar edhe prokurori i çështjes.
Dhuna s’ndalet në familje
Një grua nga Zubin Potoku raportoi se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti ndodhi në orën 19:15 të së njëjtës ditë. Viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa policia nuk ka raportuar ndonjë arrestim për këtë incident.
Xham i thyer, dëmi i panjohur
Po ashtu në Zubin Potok, rreth orës 22:35, një burrë raportoi se dikush i kishte thyer xhamin e dritares së shtëpisë së tij. Shuma e dëmit nuk është bërë e ditur, ndërkohë që rasti është ende nën hetim nga njësitet përkatëse.
Ngacmim seksual dhe shantazh në Leposaviq
Një tjetër rast shqetësues vjen nga Leposaviqi, ku një burrë është arrestuar më 9 maj 2025 për një rast të vitit 2023 që lidhet me ngacmim seksual dhe shantazh. Pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përveç këtyre, nuk ka pasur ndonjë ngjarje tjetër me rëndësi për t’u raportuar gjatë ditës së djeshme në këtë pjesë të vendit./Mitropol/








