Medi
02LAJME

Nga Lublana në Mitrovicë: Doktoresha që nuk u dorëzua para represionit serb

Në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës” ku në fokus janë rrëfimet e grave mitrovicase për sakrificat dhe sfidat gjatë viteve të okupimit, pra viteve 1980-90, në emisionin e fundit e ftuar ka qenë mjekja mitrovicase, Drita Ibrahimi.

Dr. Drita Ibrahimi rrëfimin e saj e nis duke treguar për shkollimin e saj, ku ajo tregon se studimet i ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa specializimin në Lublanë Sloveni. Ajo tha se specializimin e ka përfunduar për drejtimin e atëhershëm “Mjekësi e Punës”, drejtimin të cilin nuk arriti ta praktikonte për shumë gjatë për shkak të represionit serb.

eKiosk

“Në vitin 90-91 atëhere është përfundu cikli i punës me punëtorë. Thuajse të gjithë shqiptarët janë përjashtu nga puna. Une e kam vazhdu punën në Shtëpi të Shëndetit. E kam kry punën time profesionale, si udhëheqëse e ndihmës së shpejtë. Aty kam qëndru deri në vitet e luftës.”, tha ajo.

Doktoresha tutje foli për periudhën e luftës si dhe vështirësitë e asaj kohe.

“Une është dashtë me shku në ndihmën e shpejtë, me bë planin e punëtorëve. Periudha jetësore e punës sime ka qenë mjaft e vështirë. Pas luftës udhëheqësi i komunës atëkohë, Bajram Rexhepi më emëroi udhëheqëse si drejtoreshë të Shtëpisë së Shëndetit. Prej vitit 99 deri 2000 jam mundu me e kry punën në mënyrën ma profesionale… aty kemi hasë në shumë peripeti”, shprehet ajo.

Ajo thekson se një nga sfidat kanë qenë edhe ato buxhetore.

“Nuk kemi pasë paga. Paga 2 muaj ose 3 nuk kena marrë. Nuk kemi pasë paga po gjithë kemi punu me një vullnet, me një dëshirë që jemi të lirë edhe po i kontribuojmë një populli i cili ka pasë mjaft nevojë për neve”, tha ajo.

Doktoresha tutje tregon se si ia dilte të mbijetonte pa paga, pasi që edhe vet ajo kishte familje për të mbajtur.

“Shoku im është punësu në UNMIK, për mu s’ka pasë më rëndësi rroga ime. Une kom pasë ma tepër obligim humanitar, njerëzor. Mi pasë 230-240 punëtorë të cilët pritshin me marrë rroga e t’i mos me pasë me jau dhonë, ajo ka qenë dështim shumë i madh. Po une kam bisedu me të gjithë. Për ditë e kom pasë një repart.”, tha ajo.

Ajo tregon se si një nga teknikët e stafir shëndetësorë ka treguar kujdes ndaj saj për ta mbrojtur nga civilët që gjendeshin në mesin e stafit, dhe pas 14 majit të 1999-tës ajo nuk ka vazhduar të punoj për shkak të pamundësisë së rrethanave.

“Prej asaj dite une kam dalë, kemi shku në Tavnik. Aty ka qenë njl situatë e rëndë, nuk dishim kah me shku. Shkuam te familja e gruas së axhës, kurrë si harroj ato ditë, me të vërtetë ka qenë vështirë. U ulëm me hongër supë edhe kur ua qita fëmijëve, më thanë jo nana kjo nuk është supë çka ke bë kështu. Edhe me të vërtetë nuk ish supë, kanë mbetë pa hongër. Në ora 3 të mëngjesit është ndi një krismë e madhe. Mandej pa hongër e pa pi na kanë qit prej shpijave. Deri tri ditë kemi ecë, diku 6 kilometra larg Shipolit. S’kemi mujtë ma.”, rrëfeu ajo.

“Kemi ecë deri në Deçan, kur kemi shku kanë thënë nuk po pranon më Shqipëria, kthehuni. Ajo ka qenë vdekje për neve.”, shprehet doktoresha plot emocion.

Ibrahimi thotë se për vete e prist çdo moment më të keqen, por vetëm i dhimbseshin fëmijët që nuk kishin çka të hanin.

“Ajo ka qenë dhimbja jeme ma e madhja. Djali i vogël as 7 vite si ka pasë, ai më ka lyp bukë. Të mëdhenjtë e kanë kuptu. Më kujtohet diku te Peja, aeroplanat e NATO-s kanë gjujt pako ushqimore. I kom mbledhë ato edhe jau kom dhënë fëmijëve të mi. Une nuk kom marrë. Më thotë djali “merre mama haje”, jo thashë nuk du. Nuk kom hongër”, kujton ajo momentet e luftës me lot në sy.

Ajo rrëfen se si pas kthimit në Mitrovicë, shkoi në vendin e punës por aty më nuk kishte shqiptarë dhe se i gjithë stafi ishin serbë. Dr.Ibrahimi thotë se shkoi në veri për të marrë pagë, dhe se gjatë kthimit me një nga kolegët ajo hëngri bukë pas pesë ditësh uri.

“Nuk e di, nuk kemi pasë kurgjo. Krejt çka kemi lonë në shpi nuk kemi gjet kurgjo. Disa shtëpi kanë qenë të djegne por jo të gjitha”, tha ajo.

Ibrahimi tregon se si pas një ëndrre që kishte parë, ajo vendosi që bashkë me bashkëshortin e fëmijët ta braktiste vendin.

“Jemi nis me katër fëmijët, une e shoku. Ecshim nëpër rrugë, krejt kabllot e rrymës të këputne nëpër tokë. E kalum shtëpinë e policit serb, Ratkut, a na pa a nuk na pa, nuk e di. Shkum në stacion të autobusave.. hipëm në autobus për Novi Pazar. Shkum deri në Banjskë, na zbritën aty. Kërkojsha me bisedu me policë, njoni bërtitke pritni pritni. Dikur po më thirr ai kryesori. Të lutna thash une jam doktoreshë e ndihmës së shpejtë, e kisha vërtetimin, thash une kam marrë leje me i qu fëmijët në Mal të Zi. Më tha kush ta ka jep këtë vërtetim, thash drejtori i Shtëpisë së Shëndetit. Në rregull tha prit pak. Na kontrollun, në rregull tha veç ti a kthehesh, gjithsesi thash. Hypëm në kerr, o Zot thash a është e mundur. Shkum në Mal të Zi, e aty veç tjetër frymëmarrje”, rrëfeu doktoresha.

Ajo tutje mes lotësh thotë se ka pritur shumë nga Liria që do të vinte në vend.

“Kur ka qenë hapja e Urës së Ibrit, kur na kanë thënë 10 vjet nuk mundeni me kalu mu ka dok absurde. Psee, pse mos me mujt me kalu. Po shkojnë 20 e kusur vjet e mos me mujt na me dalë lirshëm, pa frikë, kjo është absurdi më i madh. Sepse secila luftë e ka fillimin edhe fundin e vet. Po pse na me përjetu këtë?”, shprehet ajo.

Dr. Drita Ibrahimi po ashtu tregon edhe për periudhën e shkollimit të saj në Lublanë.

“Aty e kam pasë edhe një shoqe të shkollës së mesme, edhe kam shku te ajo. Aty kam nejt 6 muaj ditë. Në Institutin për Mjekësinë e Punës, puna aty ka qenë shumë mirë.”, tregon ajo.

Ibrahimi po ashtu flet edhe për gjendjen e sistemit shëndetësorë aktual në Mitrovicë dhe QKMF-në e re.

“Si qytet kena përparu shumë. Mirëpo duhet me pasë shumë ma kujdes, me mbajtë shumë kritere, në nivel ma të nalt sepse duhet me u ditë doktori është doktor, tekniku është teknik. Dihet çka i lejohet teknikut, e çka nuk i lejohet. Pa i rregullu qito gjana, shumë vështirë është”, tha ajo.

Rrëfimin e saj Dr. Drita Ibrahimi e përmbyll duke treguar se si po e kalon periudhën si e pensionuar e e rrethuar me dashuri të nipave e mbesave.

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Dukato 1