
Nga sot do të ndryshohet formati i testimit për kandidatët që i nënshtrohen provimit teorik për patentë-shoferë.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Ministria e Infrastrukturës, përmes një përgjigje me shkrim.
“Në kuadër të përmirësimit të proceseve të testimit për kandidatët e patentë-shoferëve, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës ka ndërmarrë një sërë reformash që synojnë rritjen e transparencës, saktësisë dhe lehtësimit të procesit të testimit për Patentë-Shofer”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Sipas MI-së, provimi teorik do të bëhet vetëm online.
“Testimi i kandidatëve është vetën online, siç edhe ka qenë deri më tani për të gjitha kategoritë”, thuhet tutje në përgjigje.
Kjo ministri në muajin maj ka publikuar një doracak dhe është në dispozicion për kandidatët dhe Autoshkollat që nga ajo kohë.
Doracaku mbulon të gjitha kategoritë e patentë shoferit, përfshirë kategoritë A, B, C1, C dhe D. Kjo do të thotë se të gjitha këto kategori përfshihen në materialin e ri dhe do të ndryshohen.
Ky sistem i ri testimit për kandidatët që do të hynë në testim për patentë-shofer në kategorinë B do të ketë ndryshime në pyetjet e përditësuara dhe të një formati të ri të testit.