KOSOVËLAJME

Një deputet i VV-së thotë se Kurti po mundohet ta bindë me zgjedhje opozitën për kodin e ri civil

Në një banesë në Prishtinë, aktorë homoseksualë qeshin dhe bërtasin gjatë ushtrimeve për një shfaqje që shpreh satirë rreth politikanëve homofobë dhe për t’i mbrojtur të drejtat e barabarta për komunitetin LGBT në Kosovë, që mund të bëhet së shpejti shteti i parë me shumicë myslimane që i lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

Reuters

Market Florenti
Koha
Florenti Company
Market Florenti

Shfaqja pritet të realizohet gjatë “Javës së Krenarisë” në qershor, por gjithashtu mund të bjerë në kohën e votimit të një kodi të ri civil në Kuvend, me të cilin do të legalizoheshinunionet civile mes personave me gjini të njëjtë. Nuk është e qartë saktësisht se kur do të votohet kodi i ri civil, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar tha se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt, raporton agjencia “Reuters”.

Mirataimi i kodit, edhe pse ende i paqartë, do të ishte shtytje e madhe për të drejtat e homoseksualëve në vendin konservator ballkanik, edhe pse shumë anëtarë të këtij komuniteti kanë frikë se një lëvizje e tillë nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e rrënjosura.

Gjatë ushtrimeve, regjisorja homoseksuale e shfaqjes, Arlinda Morina, tha se do të martohej me partneren e saj, nëse miratohet ligji, por nuk pret që të bëhet papritmas e pranuar në shoqëri.

“Kjo do të bëjë një zhurmë të madhe dhe do t’i japë një dridhje të vogël vendit, por nuk besoj se do ta ndryshojë shumë mënyrën se si ne trajtohemi” – i tha ajo agjencisë “Reuters”.

“Çfarë do të mund të ndryshonte martesa, kur ende je e pështyrë dhe e fyer në rrugë” – pyeti Morina.

Përderisa shumica e vendeve të Evropës Perëndimore kanë lëvizur drejt barazisë në martesë, të drejtat janë të kufizuara në një pjesë të madhe të lindjes dhe jugut të Evropës.

Në Kosovë, në mesin e kundërshtarëve është Duda Balje, deputete dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut.

“Ne nuk duam presion nga një komunitet i vogël për ta shkelur atë që shumica e mendon” – i tha ajo agjencisë “Reuters”.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes se kur pret që kodi i ri civil të votohet në Kuvend.

Një deputet i partisë në pushtet i tha agjencisë “Reuters” në kushte anonimiteti se Kurti po mundohet që ta bindë opozitën për ta votuar kodin e ri civil, si dhe marrëveshje për energjinë e infrastrukturën, duke i ofruar si këmbim shpallje të zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet e reja parashihen për shkurtin e vitit 2025, sipas afatit të rregullt.

Kodi i ri civil do t’u lejonte çifteve me gjini të njëjtë që të regjistrojnë unione civile, por kërkon miratim të një ligji tjetër për t’i rregulluar martesat mes homoseksualëve.

Për Blert Morinën, që e udhëheq organizatën CEL për mbrojtjen e komunitet LGBT në Kosovë, kodi i ri civil duhet të zgjidhë gjithçka përnjëherë.

“Shteti na konsideron ne si qytetarë të klasës së dytë” – tha Morina, transgjinor. Sipas Morinës, diskutimet për ligjin e ri “na kanë ekspozuar ndaj urrejtjes”.