KOSOVËLAJME

Njohën si të rregullta faturat fiktive në vlerë të 18 milionë eurove, këta janë zyrtarët e ATK-së që u arrestuan sot

Trembëdhjetë persona, prej tyre dymbëdhjetë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës sot gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion. Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar listën me emrat e 12 zyrtarëve të ATK-së, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, bashkë me biznesmenin prizrenas, Feim Pulaj.

Medi
  1. Milaim Berisha
  2. Adil Paqarizi
  3. Gazmend Gjocaj
  4. Nesim Bajrami
  5. Muhamet Rafuna
  6. Agim Rama
  7. Avdi Jakupi
  8. Safet Temaj
  9. Masar Zejnullahu
  10. Xhemajl Hertica
  11. Murtez Zeqiri
  12. Vllaznim Krasniqi

Sipas komunikatës së Prokurorisë, zyrtarët e ATK-së dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit, Feim Pulaj, i cili ka në pronësi tri biznese në Prizren, ia kanë njohur të rregullta 23 fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç se ishte i ndërtuar, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të dyshuarit tjerë, B.B., dhe B.B., të cilët janë pronarë të një biznesi në Podujevë dhe momentalisht janë në arrati.

Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Pronari i hotelit ‘Lakeside’ në Vërmicë të Prizrenit, Feim Pulaj, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.8 milionë euro.

Gjatë aksionit në pronat e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për paraburgim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Weelnes