Njohësi i çështjeve të sigurisë: Do të ishte çmenduri që Serbia të mendojë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë
Lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi me kufirin e Kosovës nuk shihen si risi pasi ato janë bërë edhe në të kaluarën.
Kështu vlerëson njohësi i sigurisë Hysen Gecaj duke shtuar se nuk ka mundësi që në këto rrethana të ndërhyhet në Kosovë.
Publikimin e videos së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe njoftimin nga ana e tij se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, Gecaj e ka vlerësuar si veprim jo të menduar mirë.
Ai tha se këto janë vetëm tentativa të Serbisë për të përhapur panik e frikë në Kosovë dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas tij po e shfrytëzon këtë situatë për konsum të brendshëm.
“Kosova nuk është sot më e provokuar sesa ka qenë dje, pardje dhe ditët tjera në të kaluarën. Serbia vazhdimisht është duke provokuar me trupat e saj në kufi dhe për mua personalisht kjo nuk është ndonjë risi. Tjetër element që për mua është pak shqetësues ose i paqartë është se nëse kryeministri i Kosovës ka një informacion të tillë dhe unë po besoj që ka diçka prej tyre informatave, atë herë këtë është dashtë që ta diskutoj me institucionet e Kosovës dhe me KFOR-in i cili është përgjegjës për sigurinë e Kosovës poashtu edhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Plasimi i lajmit menjëherë për opinion, derisa nuk kemi asnjë informatë as nga NATO as nga KFOR as nga institucionet e tjera, që diçka e madhe po ndodh rreth kufirit të Kosovës unë thjesht ende i shoh këto vetëm si tentativa të Serbisë për të përhapur panik e frikë në Kosovë. Sigurisht këtë situatë ta shfrytëzoj për konsum të brendshëm të vetë presidentit Vuçiq për shkak të situatës në Serbi dhe për shkak të popullatës serbe në veriun e Kosovës”, tha Gecaj.
Gecaj poashtu ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit Amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier i cili sipas tij dha sinjal se Kosova nuk duhet të brengoset shumë për aspektet e sigurisë.
Sipas tij do të ishte çmenduri që Serbia të mendoj për ndonjë sulm në Kosovë.
“Do të ishte çmenduri që Serbia të mendoj për ndonjë invazion klasik dhe sulm në Kosovë për shkak se të gjitha konstalacionet ndërkombëtare e vendore nuk flasin për ndonjë favor të Serbisë”, shtoi ai.