Medi
KOSOVËLAJME

“Nuk duhen para e as pushtet” – Ymeri inkurajon të rinjtë që aspirojnë të përfshihen në politikë

 

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike, Janina Ymeri, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm shprese për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të përfshihen në politikë, duke sfiduar perceptimet e vjetra mbi mënyrën se si arrihet suksesi politik në Kosovë.

Dukato 1

Gjatë një paraqitjeje sot në emisionin “Pressing” në T7, Ymeri hodhi poshtë çfarëdo mendimi se për t’u bërë deputet nevojitet një stazh i gjatë partiak, fuqi financiare apo mbështetje familjare nga njerëz me pushtet. Ajo theksoi se meritokracia dhe puna e vazhdueshme janë rrugë të hapura për këdo.

“Nuk ka nevojë me nejtë 20 vjet në një parti dhe me dalë deputet; nuk ka nevojë me pasë para; nuk ka nevojë me pasë pushtet; nuk ka nevojë me i pasë prindë kushedi se çka në pushtet për me u ngritë si deputet,” deklaroi Ymeri.

Duke folur për rrugëtimin e saj personal, deputetja e re sqaroi se ekspozimi i saj publik nuk ishte rezultat i ndonjë favorizimi brenda strukturave partiake, por i angazhimit të saj të drejtpërdrejtë.

“Ka shumë njerëz që kanë mendu që në media kam shku nga partia dhe që ndoshta aktivistët tjerë kanë mbetë anash. Kjo s’është e vërtetë, se nuk janë bërë kësi lloj dallime. Jam thirrur nga mediat veçmas, pa një etiketë mbrapa – as partisë, as parasë, asnjë lloji tjetër,” shtoi ajo.

Ymeri shtoi se çelësi i suksesit të saj ishte konsistenca në reagime dhe komunikim me publikun, duke dëshmuar se nuk ekziston një prototip i paracaktuar për të qenë i suksesshëm në politikë.

“Krejt çka unë kam bërë është në shifra të sakta, aq sa unë jam mundu: me postu dhe me reagu pa ndalim. Ka shpresë dhe nuk është prototipi nëse ke, bëhesh. Edhe nëse s’ke, bëhesh,” përfundoi ajo.

Premium Store